Teliti: Shqipëria vendi më i palumtur për të jetuar. PD e shqetësuar për ekonominë e shqiptarëve

Këshilltari për çështjet ekonomike në PD-në e “Rithemelimit”, Dorian Teliti , duke komentuar nga selia blu raportet e Eurostat dhe BERZH, theksoi se, “jetojmë kohë të vështira, në kohët kur njerëzit e këtij vendi duhet të luftojnë çdo ditë me vështirësitë dhe padrejtësitë e shumta që ka realiteti shqiptar.
“Jetojmë në kohët ku rinia mendjen e ka të emigrojë, nxënësit ëndërrojnë për klasa me kushte normale e shkolla pa turne, studentët në vend që të fokusohen të mësimi mendjen e kanë te tarifat e rritura dhe shpikjet qeveritare për punë të detyruar. Jetojmë në kohët që sipërmarrësin nuk e zë gjumi pasi në ëndërr i dalin taksat e rritura dhe taksidarët e babëzitur”, nënvizoi ai.
Sakaq ai tha se, 90% e të punësuarve e shpenzojnë rrogën e tyre brenda gjysmës së parë të muajit dhe gjysmën tjetër një zot e di stresin që përjetojnë.
“95% e pensionistët kanë frikë të futen në dyqane se nuk arrijnë të paguajnë dot edhe produktet bazë të ushqimit e jo më ilacët cilësore apo shërbimet mjekësore që shumë prej tyre u nevojiten”, shtoi ai.
Sipas raportit të dy javëve më parë të Eurostat, theksoi Teliti, shqiptarët renditen të fundit kur bëhet fjalë për kënaqësinë e jetës, ndërkohë që vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriu, Mali i Zi, Serbia, etj renditen më lart e më mirë se ne.
Ndërsa sipas BERZH-it, citoi ai, kënaqësia për të jetuar është rritur ndër vite në të gjithë vendet e Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk ka ecur me këtë trend pozitiv, përkundrazi.
“Sipas këtij raporti të BERZH, kënaqësia për të jetuar sot është edhe më e ulët sesa ajo e vitit 2006, vit që qeverisej nga Partia Demokratike dhe ishte viti i parë i qeverisjes së saj që karakterizohej nga vendosja në qendër të vëmendjes të qytetarit dhe sipërmarrjes, derregullimit, uljes së barrës fiskale, rritjes së pagave e pensioneve, nisjes së investimeve madhore, luftës frontale ndaj korrupsionit, etj” theksoi ai.
Ndaj tha ai, Partia Demokratike është shumë e shqetësuar për realitetin e vështirë që po jetojnë shqiptarët. Jemi të shqetësuar për ekonominë që nuk ecën në drejtimin e duhur, për taksat e rritura ndjeshëm që nuk u kthehen shqiptarëve në më shumë shërbime, shkolla, spitale e infrastrukturë rrugore.
“Jemi të shqetësuar për braktisjen që i bëhet shtresave në nevojë dhe pensionistëve, ndërkohë që shpërdorimet e parave për shpenzime luksi, rikonstruksione zyrash dhe qindra milionë eurot e buxhetit të shtetit që cdo vit gllabërohen nga oligarkët e PPP-ve”, përfundoi Teliti.
/rtsh.al/