TemA TV/ Arvizu takon Sajmir Tahirin: Jemi të shqetësuar nga krimi dhe trafiqet. Presim shumë nga qeveria e re (VIDEO)
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguria publike në Shqipëri dhe lufta kundër krimit e trafiqeve ilegale mbeten prioritete që tërheqin vëmendjen maksimale.
Këtë mesazh ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ia përcolli të mërkurën njeriut që është propozuar të drejtoje në qeverine e re, Ministrinë e Brendshme, zotit Saimir Tahiri.
Ambasadori amerikan, i shoqëruar nga një ekip drejtuesish të lartë të Ambasadës Amerikane, bisedoi për më shumë se 80 minuta me zotin Tahiri në selinë e Partisë Socialiste për çështje që lidhen ngushtësisht me rendin publik, luftën kundër krimit dhe trafiqeve ilegale.
Ambasadori Arvizu pohoi pas takimit se pritshmëritë për qeverinë e re janë të larta, dhe në betejën për rend e siguri, kabineti i Edi Ramës do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve.
Ne po vazhdojmë të kemi konsultime me njerëzit që do të jenë pjesë e qeverisë. Natyrisht që Ministria e Brendshme është një aktor kyç. Siç e shihni kemi një staf shumë të madh të ambasadës këtu. Ne folëm për përparësitë programatike, në përpjekje për të përforcuar sukseset që janë arritur, por gjithashtu qeveria e re ka një mandat të fortë, të mbështetur masivisht nga populli. Ka disa pritshmëri në fushën e reformave. Ne duam të jemi plotësisht mbështetës për axhendën e integrimit europian të Shqipërisë. Ka disa aspekte strategjike por edhe çështje operacionale të ditës. Natyrisht varet nga qeveria e re, ata janë të ngarkuar, ne jemi këtu për të qenë një partnere shumë bashkëpunues. Kjo është ajo që po bëjmë, po këshillojmë, tha Arvizu.
I pyetur nga Top Channel nëse është folur për çështje specifike që lidhen me trafiqet ilegale apo me aspekte të rendit publik, te evidentuara edhe ne raportet e Departamentit të Shtetit, zoti Arvizu dha këtë përgjigje: Kemi biseduar për disa çështje specifike, sepse natyrisht në çdo demokraci ka disa çështje që prekin qytetarët, siç janë nivelet e krimit, korrupsioni. Kemi biseduar për mënyra se si mund të shkëmbejmë eksperiencat dhe ajo që është më e efektshme është parandalimi i krimit. Krimi është një çështje shumë e vështirë. Ne ndeshemi me të, gjatë gjithë kohës në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka një formulë magjike, por gjëja më e rëndësishme është që zoti Tahiri dhe qeveria e re ta kuptojnë që kjo është një çështje që shqetëson qytetarët shqiptarë, është një çështje për ne, sepse ne duam ta ndihmojmë Qeverinë dhe qytetarët shqiptarë në axhendën e integrimin europian. Pra, për këtë jemi këtu, për të ndihmuar./TCH