E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos na e merrni edhe copën e fundit!

magdalenaNga Magdalena Ramohito

Dita kur ish-kryeministri problematik i Shqipërisë, Sali Berisha, pranoi humbjen në sy të elektoratit të tij dhe të gjithë shqiptarëve e ndërkombëtarëve, duket si e largët, për faktin se nga ajo ditë e deri tani, ai me daljet e tij publike në mbledhjet e qeverisë ditë për ditë, në rekordet e notit, së fundi me familjen e tij në pushime, ndërsa administrata dergjet me ethet për vendet e punës duke i zënë gjumi në tavolina e pushimet për ta sot i ngjajnë një ëndrre të largët shumë të largët…

Sot për ta është problem buka e përditshme, prandaj ata smund të pushojnë, por ata vigjilojnë me sy e vesh hapur…

Ata nuk dëgjojnë asnjë nga lajmet, që normalisht inteligjenca e vendit në kushte normale do të ishte e përfshirë së paku në diskutime; lajmet që ata duan të dinë janë, vetëm ato, që kanë lidhje direkt me bukën e gojës. Deri këtu ka arritur kjo klasë politike të gjunjëzojë inteligjencën shqiptare deri në kufijtë e mbijetesës.

Ndërsa lajmet mbi Agimin e Artë e të tjera lajme tronditëse, nuk mund të arrijnë të prekin ndërgjegjen e tyre, sepse përpara se të merresh me gjërat e mëdha, të duhet të ushqehesh, të duhet një banesë dhe një palë pushime, kudo dhe sado të shkurtra e jo romantike të jenë, e përderisa këto përbëjnë ëndrrën e inteligjencës sonë, problemet madhore nuk janë në fushëpamjen e saj.

Qeveria në ikje, e cila së paku në sytë e mi ka qenë përherë qesharake, e pafuqishme për të bërë vepra mbresëlënëse në shpirtrat e njerëzve, por e fuqishme në saj të pushtetit që sigurisht është gjithmonë i përkohshëm, edhe sot në ikje ka të njëjtën fytyrë; një fytyrë rraqexhie…

Të rrëmbejë sa më shumë rraqe, godina, mjete, pra gjëra materiale dhe në të njëjtën kohë të nëpërkëmbë sa më shumë njerëz me integritet, apo të pa mbrojtur, për shkak të historisë së jetës së tyre si p.sh romët, të nëpërkëmbë ushtarakët, ish- të persekutuarit, madje kjo ka qenë si strategji antikombëtare, ndërsa administratën, që supozohet se mban institucionet e këtij shteti në këmbë, nuk e ka pasur kurrë në axhendë.

Këto ditë shohim që protestojnë romët për një çështje jetike të tyre kundër babëzisë shtetërore dhe merren nëpër këmbë ashtu siç një i babëzitur di të sillet me njerëzit(të gjitha qeniet e gjalla i percepton si rraqe), gjithashtu ish-ushtarakët protestojnë për objektet ku ata kanë shërbyer gjatë gjithë jetës, jo për nostalgji, por për të shpëtuar së dhunuari djersën e gjithë popullit shqiptar në vite, e cila në pak kohë u përqendrua në pak duar të babëzitura.

Njerëzit sot shqetësohen për çdo prekje të pronës së tyre, që qeveria në ikje po bën, i dalin përpara me atë pak forcë, që u ka mbetur në shpirt duke i thënë: Mos na i rrëmbeni!

Të babëziturit nuk mund ta dinë se: Përkorja dhe kufizimi i synimeve personale ndaj kënaqësisë, pronësisë, pozitës, nderit, etj… janë akte të kujdesshme, meqë fatkeqësitë e mëdha vijnë pikërisht nga përpjekjet për të arritur lumturinë, salltanetet dhe kënaqësitë.

Duket se këta njerëz kanë zgjedhur mediokritetin e artë për të jetuar të lumtur me babëzinë e tyre dhe harrojnë se rrufetë më së pari godasin majat e maleve të thikta, dhe era godet pishat e larta e të dendura dhe KULLAT E LARTA shemben më një shkatërrim të frikshëm…

Ajo që popullit dhe vendit tonë i duhet sot: është vullneti dhe dëshira për tu ngritur mbi babëzinë që deri sot shkatërroi çdo gjë humane, shkatërroi dhe paralizoi ekzistencën e vet shtetit, prandaj më mirë të zhvendosim vëmendjen nga e ardhmja e afërt se të luftojmë ti heqim babëzisë rraqen e fundit nga thonjtë e pistë. Të shohim më mirë nga e ardhmja e afërt, fare e afërt, të këmbëngulim të bëhemi pjesëmarrës sa më shumë të jetë e mundur në vendimmarrje, të jemi autorë dhe aktorë të ndërtimit të diçkaje të re, duke e lënë babëzinë mbrapa si fenomen, por jo në harresë si emra konkretë…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›