E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Auron Tare: Berisha po u jep klientëve të Familjes edhe monumentet e kulturës (VIDEO)

auronPartia Socialiste ka reaguar nëpërmjet deputetit Auron Tare, për vendimin e qeverisë që të japë me qira monumentet e kulturës. Sipas Tares, Berisha pasi shiti çdo gjë të mundshme, tashmë ka nxjerrë në shitje edhe trashëgiminë kulturore.

Ky kryeministër në ikje dështoi me trashëgiminë kulturore dhe në tetë vitet e qeverisjes së tij as nuk janë ruajtur pasuritë tona kulturore e natyrore, por përkundrazi, gjithçka është bërë për ti rrënuar e shkatërruar ato.

Dje qeveria e rrënimit, nëpërmjet Ministrit të Kulturës, vendosi të nxjerrë në treg edhe Monumentet e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare.

Kjo përpjekje e kahershme për dhënien me qira të pasurive shpirtërore të shqiptareve përkon tashmë me ikjen nga pushtetit të partisë familjare të Berishës.

Pasi shiti çdo pasuri natyrore, pasi dha çdo kodër për fabrika çimentosh dhe gurore; Pasi shiti çdo pyll për qymyr; pasi dha me koncesion çdo lum për hidrocentrale, sot Sali Berisha po shet edhe Monumentet e Kulturës Kombëtare, tha Tare në një konferencë shtypi.

Sipas tij, këto 8 vjet nën qeverisjen e Sali Berishës janë zhdukur një sërë monumentesh kulture, duke filluar nga vjedhjet, deri tek shkatërrimet që ndodhin nën sytë e të gjithë shqiptarëve. Tare tha se monumentet e mbetura të kulturës po shkojnë për klientët e Familjes.

Për këto 8 vjet të qeverisjes së Sali Berishës, Fondi i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare ka njohur një bjerrje të paprecedent duke i zhdukur kulturës sonë një numër të madh monumentesh dhe qendrash historike. Mjafton ti hedhim sytë nga qyteti i Krujës, i cili sot po shkatërrohet me ritme galopante duke zhdukur një herë e mirë qendrën e pelegrinazhit kombëtar të shqiptarëve.

Me gjithë përpjekjet e Shoqërisë civile dhe specialistëve të fushës për ta ndaluar këtë veprim jo logjik dhe shumë të dëmshëm për trashëgiminë kulturore, është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi, i cili do ta radhisë Ministrin e Kulturës dhe vetë Kryeministrin në ikje, në rreshtin e atentatorëve ndaj Trashëgimisë Kulturore.

Ky akt i kryer vetëm një muaj para ikjes nga pushtetit të qeverisë së Berishës, kërkon tu japë klientëve të Familjes edhe vlerat e fundit të pasurive kombëtare. Ashtu siç ju ka dhënë deri më tani të gjitha fondet e buxhetit për restaurime të paqena, tha Tare.

Ai u shpreh se pas 23 qershorit, PS-ja nuk do njohë asnjë marrëveshje të lidhur nga Berisha për monumentet e kulturës.

Partia Socialiste ju bën thirrje të gjithë atyre që të joshur nga këto orvatje të fundit të Qeverisë për të blerë një grusht votash edhe me Monumentet Kombëtare, se pas fitores së datës 23 qershor nuk do të njohim asnjë Marrëveshje të lidhur në dëm të interesave të Trashëgimisë Kulturore.

Ne nuk do ti njohim askujt, asnjë koncesion, qiramarrje apo forme tjetër ndaj Monumenteve të Kulturës.

Pas 23 qershorit ne do të bëjmë të mundur që të gjitha Monumentet tona të Kulturës jo vetëm të mbrohen dhe të restaurohen, por edhe të vihen në shërbim të turizmit kulturor dhe në dobi të komuniteteve kudo që ato ndodhen, përfundoi ai./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›