TemA TV/ Balla- Bregut: Ik dhe ti se ke lidhje me mafien. Bregu refuzon të dhënat e Flamurit (VIDEO)
Pasi mazhoranca kërkoi të shkarkojë anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e akuzuar për lidhje me krimin, debati mori tjetër ngjyrim.
Opozita ka deklaruar se në këtë mënyrë duhej të ishte shkarkuar edhe Arben Ristani, që ka drejtuar dy palë zgjedhje, por ka qenë i dënuar.
Debati ka përfunduar dhe në akuza dhe fyerje personale. Deputeti i PS-së Taulant Balla i kërkoi ministres së Integrimit Majlinda Bregu të dorëhiqej nga detyra, pasi kishte marrë në mbrojtjes publikisht anëtarët e organizatës mafioze italiane Sacra Corona Unita.
Zonjë me flamurin e BE-së dhe stemën e ministrisë nga mbrapa, ke dalë dhe ke bërë avokatinë e një klani kriminal në Itali Sacra Corona Unita, madje ke marrë në mbrojtje individë dhe kriminelë të kësaj organizate dhe nëse aplikoni të njëjtin standard siç doni të aplikoni sot, jep dorëheqjen nga ministre e Integrimit, pastaj kërko largimin e anëtarit të KQZ-së. Me të njëjtin standard siç po i kërkon Ilirjan Muhos të largohet, largohu edhe ti nga qeveria, tha sekretari i grupit parlamentar opozitar, Taulant Balla.
Drejt vendit ku qëndronte ministrja Bregu, përgjatë kohës që fliste deputeti Balla, është drejtuar ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Ai i ka këshilluar diçka zonjës Bregu, por ajo siç dukej përmes pamjeve, ia ka kthyer me një gjest bezdie se nuk kishte nevojë për të dhënat e ofruara nga ministri Noka.
E di pse nuk trembni dot njeri ju, e para sepse ti je shpifës me pagesë, e dyta shko paguaj gjithë gjobat e shpifjeve se me shpifje ti nuk bën dot pis njeri, e treta si dordolec kur bërtet nuk tremb dot asnjë nga laraskat e tjera që vijnë vërdallë, ishte replika pot tension e ministres Bregu me deputetin socialist./ep