TemA TV/ Kuvendi shkarkon anëtarin e LSI-së në KQZ me votat e Islamit, Dogjanit dhe Kadelit (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Tre deputetët e opozitës votuan me karton, pasi kolegët e tyre të majtë ua morën kartat elektronike. Seanca maratonë u mbyll me duartrokitje nga mazhoranca, por Berisha u shfaq i lodhur dhe i ngjirur. Klement Zguri zuri vendin e Ilirjan Muhos. Pro votoi edhe Dritan Prifti
Mazhoranca ka miratuar me 73 vota pro shkarkimin e Ilirjan Muhos si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në vend të tij është emëruar Klement Zguri.
Partia Demokratike është ndihmuar nga votat e tre socialistëve, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli. Pro ka votuar edhe Dritan Prifti, siç kishte paralajmëruar.
Opozita ka vendosur që të braktisë seancën e Kuvendit, ku do votohej për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së.
Por ndërsa opozita largohej, deputeti Gazmir Bizhga i ka kërkuar edhe deputetit Kastriot Islami që të lërë sallën.
Mes tyre ka pasur tension dhe kryetarja e Kuvendit ka ndërprerë seancën.
Më herët ishte Gramoz Ruçi që në emër të PS tha se nuk do bëhen pjesë e këtij skandali.
Ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtij skandali, e kësaj shkelje të plotë të ligjit. Kjo është njolla e dytë që i vini procesit zgjedhor pa filluar ende zgjedhjet. Ju mund të korrni sukses sot, por kjo është si një fitore e Pirros. Nuk keni për të fituar as ju, as Shqipëria, tha Ruçi.
Opozita kishte ngulmuar të mësonte se përse nuk ishte vepruar kështu edhe me Arben Ristanin, që është shkarkuar nga Berisha kur ishte president.
Nuk është mirë të pyesësh dhe të ikësh sepse në këtë parlament gjërat nuk ecin me trillimi. Ju e keni votuar me unanimitet Arben Ristanin. Janë qytetarët e Tiranës që rrëzuan kryetarin tuaj, u përgjigj Berisha ndaj kësaj pyetje të opozitës.
Më herët me zë të ngjirur dhe i lodhur, Berisha tha se ka pasur gjithmonë përpjekje për të vendosur balancën në KQZ. Parashikimet e mia janë e dalin, opozitë keni qenë e opozitë do mbeteni, tha Berisha.
Duke u ndalur tek rasti i Ilirian Muhos, Berisha shtoi se ai duhet të jepte vetë dorëheqjen për shkeljet e bëra.
Diskutohet për një person që në kundërshtim me çdo rregull etike nuk ka treguar që ka qenë i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të këshillit të prokurorëve. A e kuptoni ju që ska shqiptar që të pranojnë këtë. Ata që e propozuan duhet të kërkonin të falur për emërimin e tij, ky zotëria të jepte dorëheqjen se nuk tregoi. Ky ishte njeri i ligjit, e dinte që kishte 3 shkallë gjykimi për të fituar të drejtën e tij. Pse e bëni avokatin e tij kur ai nuk e bëri vetë. Unë kërkoj të falur që e votuam se nuk e dija, bëj një gabim dhe tërhiqem, por jo të bëj avokatin e tij. Ai ishte jashtë të gjitha kushteve, pse e kursyet ju kundërshtarët e mi. Kam leverdi që deri nesër në mëngjes ju ta mbroni, them që shumica nuk e dinte. Në këtë rast kërkova të falur ai të japë dorëheqjen. Por ju kërkoni prishje balancash, kjo është e gabuar marrëveshjet respektohen, vijoi me tej Berisha./ep