Balla: Gjyqtari i Gërdecit më dënoi në emër të pronarit të Gërdecit
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që e dënon atë me 2 milion lekë gjobë pas padisë së bërë nga djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
Mjafton të thuash se aktualisht kjo gjykatë drejtohet nga asistenti i vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha (Malltezi), kuptohet qartë se çfarë vendimesh merren aty, tha Balla.
Deputeti socialist shtoi se vendimin ndaj tij e ka dhënë Ridvan Hado, të cilin ai e quajti një avokat të keqpërdorur.
Gjyqtari Ridvan Hado, mbi të cilin rëndon barra e rëndë e mosdënimit të autorëve të tragjedisë së Gërdecit, kreu shërbimin e radhës ndaj familjes në pushtet.
Pas një procesi gjyqësor tërësisht qesharak, ku gjyqtari prej ditës së parë u pozicionua qartë si një avokat i Shkëlzen Berishës, sot ky gjyqtar, Ridvan Hado, vendosi të vlerësojë se shqetësimet mendore të djalit të Kryeministrit Shkëlzen Berisha, të shkaktuara nga akuzat e mia për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm, kushtokan 2 milion lekë, tha Balla.
Sipas tij, Hado e ka marrë këtë vendim me qëllim marrjen në konsideratë të kërkesës së tij nga babai i Shkëlzenit për një vend të lakmuar në Gjykatën e Apelit apo të Lartë.
Sepse në Shqipërinë e marrë peng nga Saliu, gjyqtarët promovohen në rangje më të larta vetëm pasi kanë dhënë prova besnikërie ndaj familjes. Ridvan Hado i dha qartë provat e besnikërisë, tani pret gradimin nga babai i Shkëlzenit.
Këta lloj gjyqtarësh, me vendosjen në shërbim ndaj familjes në pushtet, mundohen të mbulojnë sigurisht edhe dosje të zeza vendimesh të padrejta dhe të njëanshme, në dem të drejtësisë dhe të qytetarëve të thjeshtë, tha Balla.
Deputeti socialist tha se gjyqet e tjera zgjasin me vite, kurse gjyqi ndaj tij u bë pa mbushur 20 ditë.
Sot për shkak të këtij gjyqtari pushtet-lëpirës biznesmenët dhe ushtarakët e korruptuar që vranë 26 shqiptarë në Gërdec bredhin të lirë nëpër kafenetë e Tiranës, ku takohen përsëri me trurin e fabrikës së Gërdecit: Shkëlzen Sali Berishën.
Prandaj, vendosja e drejtësisë për tragjedinë e Gërdecit dhe për vrasjet e 21 Janarit, janë gurët e themelit të rilindjes së drejtësisë në Shqipëri, nënvizoi Balla./ep