TemA TV/ Batutat e Ramës: Skeni ujë, skeni rrugë, skeni legalizime, po kemi Saliun (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me banorë të njësisë bashkiake numër 6.
Rama iu përgjigj pyetjeve të banorëve, duke përdorur shpesh batuta.
Fillimisht ai e nisi me një batutë për kreun e PS-së të Tiranës, Sajmir Tahiri. I vogël, i vogël, por këta të vegjlit kur qëllojnë të mirë, qëllojnë të mirë, por qëllojnë të këqinj, për dreq.
Një nga bashkëbiseduesit ka kërkuar që të mësojë se çfarë do bëjë ambasadori amerikan për të mos vjedhur votat prapë siç ndodhi më 8 maj.
Nëse pret që Amerika të marrë vota për ne, mos prit, pasi Amerika është miku më i madh i Shqipërisë, por Amerika këtu nuk është për të bërë qeverisjen apo opozitën. Shqipërinë e bëjmë ne. Me 23 qershor mos mbaj mendjen tek 8 maji, por nëse fituam me 10 vota dhe na i morën, me 23 qershor fitojmë me 50 mijë vota dhe do na marrin të keqen, tha Rama.
Shumë banorë janë interesuar që të mësojnë se çfarë do të bëhet me infrastrukturën e mjeruar në lagjen e tyre.
Ramës i ka mjaftuar një batutë për të acaruar edhe Bashkinë e Tiranës, që ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp.
Kreu i PS tha se tani kemi një kryebashkiak në kutinë e televizorit, por jashtë televizorit nuk ka asnjë institucion.
Një i moshuar është ankuar për gjendjen e mjeruar të sistemit shëndetësor, duke i thënë se do ishte fat që të vinte spitali i kohës së Enverit.
Rama përsëriti tezën e tij se tashmë çdo gjë në këtë vend është kthyer në mall. Nëse nuk ke para, nuk merr asnjë shërbim, tha Rama, duke premtuar se ata do vendosin shërbimin shëndetësor kombëtar, për të mundësuar barazi në spitale e poliklinika për të gjithë.
Banorët janë ankuar për gjendjen e sigurisë në vend, duke thënë se krimi po u kërcënon edhe sigurinë brenda në shtëpi.
Rama tha se kjo vjen për shkak se ka triumfuar varfëria dhe papunësia. Ai shtoi se të rinjtë kanë vetëm një aktivitet, atë të llotarive dhe basteve sportive. E vetmja shpresë vjen nga Reali, Barcelona, Juventus apo Bajerni, tha Rama.
Në fund një banorë iu drejtua me një pyetje Ramës, duke i thënë se ajo ka banesën të palegalizuar, nuk ka ujë në shtëpi dhe se infrastruktura rrugore është e mjeruar.
Nuk paske rrugë, nuk paske ujë, nuk paske legalizim, po çfarë kemi? Kemi Saliun, tha Rama.
Kryeministri, ngeli rrugëve dil në rrugë dhe gënje kush ta hajë ta hajë. Në çdo fushatë thotë do i legalizojmë të gjitha shtëpitë. Në 2005 ka thënë se në fund të vitit 2006 të gjitha ndërtimet pa leje do legalizohen. Kështu bëri dhe në 2007, kështu dhe tani. Gënjen. Nxjerr njerëz me metër dhe i din shqiptarët për budallenj. I ka ecur në fakt se ka njerëz që akoma i besojnë. Por, këtë radhë të rrijë mëngjes, drekë, darkë të vjedhë vota ne do marrim aq shumë vota sa nuk do e hedhë lumin. E gjeti Shqipërinë me 200 mijë ndërtime pa leje e lë me 400 mijë. Dhe ka legalizuar vetëm 8 %. Duhet të presësh 165 vjet të legalizohesh shtëpinë, tha Rama.
Sipas tij, Berisha merret gjithë ditën me rrugët, kurse natën merret me diçka tjetër. Pas batutave nga banorët, Rama tha se ndoshta edhe natën rri rrugëve./ep