E Hënë, 2 Nëntor 2026

TemA TV/ Berisha: Do e bëjmë Shqipërinë si Amerika, atje do shkojmë vetëm për vizitë (VIDEO)

Kryeministri Sali Berisha në Librazhd- faqe 3E kanë ngacmuar shumë batutat e kryetarit të Partisë Socialiste gjatë një takimi në Tiranë.

Ndaj kryeministri Sali Berisha, dukshëm në një gjendje lodhjeje nervore, foli në mitingun e Librazhdit më së shumti për kryetarin e opozitës.

Fillimisht Berisha iu përgjigj batutës së Ramës se ai çdo halli i përgjigjet duke thënë se po bëj rrugë.

E dëgjuat vetë mbrëmë, zoti Rama në një bisedë me qytetarët e Tiranës u tha atyre se çfarëdo ti kërkosh kryeministrit, të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhur dhe i ke të lodhur shumë nga rrugët.

Jo zotëri, puna dhe punësimi janë qëndrimet e mia më madhore, fakti që në këtë rreth bizneset janë dyfishuar, dëshmon se kemi nxitur dhe inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij.

Para se të flasësh, të ftoj të ngjitesh me autobusin mavi deri në Çermenikë, sipër do gjesh një lokal të madh ku festojnë dhe bëjnë dasmat si vend panoramik që është. Pronari do të thotë se e bëra investimin se më erdhi rruga, tha Berisha.

Më pas kryeministri iu përgjigj edhe deklaratave të Ramës se Berisha po i gënjen qytetarët me çështjen e heqjes së vizave me SHBA, në mënyrë që të gjithë të vërshojnë për atje.

Tani që deklaruam se do marrim vizat për SHBA, dje deklaroi se të gjithë do shkojnë në Amerikë. Jo zotëri, do shkojmë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë.

Të bashkohemi për punësim, mirëqenie dhe integrim. Alternativa tjetër e shpalli Shqipërinë karrocë për invalidin, Shqipëria është anëtare e NATO-s, meritoi statusin dhe do ta marrë, ti rri në autobus me xhamat e zi. Të bashkohemi të gjithë pavarësisht nga bindjet, tha Berisha.

Kreu i qeverisë ka renditur një sërë investimesh e zhvillimesh që sipas tij ka përjetuar Librazhdi, e që do të vazhdojnë në mandatin e tretë.

Gjatë këtyre viteve ju jeni dëshmitarë se ne kemi investuar shumë këtu. Ne kemi ndërtuar dhjetëra shkolla e qendra shëndetësore, ndërkohë që numri i bizneseve në Librazhd është dyfishuar në 1400, ka thënë Berisha.

Ai ka premtuar se në katër vitet e ardhshme investimet do të shtohen, duke e vënë theksin tek shtrimi i rrugëve deri në fshatrat e rrethit.

Ne jemi të vendosur të ndërtojmë në katër vitet që vijnë çdo kilometër rrugë në çdo fshat të këtij rrethi. Ne do ndërtojmë këtu infrastrukturën më moderne si ato të qyteteve tona. Do vazhdojmë ndërtimin e shkollave, ujësjellësve e kanalizimeve. Shkolla, rruga dhe energjia elektrike janë kushtet themelore për zhvillim, ka premtuar Berisha.

Ai ka vlerësuar më tej se, Librazhdi ka gjithashtu kushtet për tu shndërruar në një nga zonat më të rëndësishme të drurëve, arrave dhe pemëve të tjera frutore./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›