TemA TV/ Berisha: Ish-të përndjekurit dhe të përmbyturit duhet të kenë durim për dëmshpërblimet (VIDEO)
Edhe pse ka më shumë se 20 vjet në politike, pjesën më të madhe të së cilave e ka kaluar në pushtet, kryeministri Sali Berisha kërkon nga ish-të përndjekurit që të bëjnë ende durim për dëmshpërblimet.
Unë kam ndjeshmëri shumë të madhe ndaj tyre, por ne kemi zgjedhur rrugën e kompensimit maksimal dhe nëse do ta bënim më pak, do t’i ofendonim ata.
Jam interesuar këto kohë për ndryshimet ligjore që duhen bërë dhe duhen bërë patjetër, pasi janë në favorin e tyre.
Shtohen 8 mijë dosje tek të përndjekurit dhe ne i qëndrojmë të drejtës ashtu siç është. Ne do të bëjmë gjithçka për kompensimin sa më të shpejtë të ish-përndjekurve dhe ish-pronarëve, tha Berisha.
Të njëjtën gjë Berisha e kërkoi edhe nga të përmbyturit e Shkodrës, pasi sipas tij, ata nuk janë dëmshpërblyer deri më tani për shkak të vështirësive me KESH-in.
Këtu ka pasur probleme me përmbytjen. Unë qëndroj garant i juaji se do të paguhet çdo gjë, veçse kërkoj mirëkuptim nga ju. Ato nuk ua paguan qeveria dhe nuk keni pse tia dini për nder. Juve ua paguan ligji. Ne kemi bërë ligjin që çdo metër katror që përmbytet nga digat do të paguhet nga pronari i digave. Ne qëndrojmë garantët tuaj. Kjo do të zbatohet. Nuk u zbatua dot një vit e gjysmë, sepse borxhliu ishte në gjendje shumë të vështirë. KESH-i ishte pothuajse në prag falimentimi për shkak të ujërave. Ndërsa tani është në gjendje të mirë dhe do ta shpërbleje qindarkë për qindarkë të gjithë detyrimin. Qeveria nuk i merr ato para, por qeveria i thotë shlyej një herë borxhet, pastaj na i jep ne, tha ai.
Deklaratat e Berishës janë bërë në Velipojë, ku ndër të tjera ka kërkuar nga qytetarët që të përçmojnë Edi Ramën.
Fjalët tona janë vepra, kurse alternativa tjetër është e tëra fabrikim i autobusit mavi. Alternativë që bazohet në një përpjekje shumë të pandershme për të nxirë çdo pikë djerse që qytetarët shqiptarë derdhin ë bizneset dhe tokën e tyre. kjo alternativë bazohet në mohimin e gjithçkaje të arritur. Thotë se Shkodra është lënë pa ujë, por Shkodra i jep atij ujë në bisht të lugës. Shkon në Vlorë dhe u thotë vlonjatëve se jetojnë në mizori. Kjo është qesharake. Vlora jeton në djersën dhe mundin e vlonjatëve dhe mbështetjen e qeverisë 730 milionë euro. Përpjekja e tij për të nxirë çdo gjë që është arritur është përpjekja e një njeriu të papërgjegjshëm. Ju ftoj të përçmoni çdo mohim që i bëhet djersës tuaj, tha ai./b.l