TemA TV/ Policia largon përgjegjësinë për dhunën ndaj kandidatit të FRD-së: Nuk kemi marrë denoncim (VIDEO)
Policia e Fierit, duke reaguar për dhunën barbare ndaj kandidatit të FRD-së në Roskovec, Mithat Hoxha, ka larguar çdo përgjegjësi, duke thënë se nuk ka marrë asnjë denoncim. Kjo, edhe pse bashkëshortja e Hoxhës dhe FRD, kanë thënë se ai ishte kërcënuar disa herë.
Policia ndërkohë nuk është ndaluar me kaq, por ka akuzuar Hoxhën se nuk ka dhënë asnjë shpjegim, edhe pse ky i fundit është në një gjendje të rëndë, pas dhunës së pësuar.
Me datë 09.06.2013 rreth orës 23.45, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier është marrë njoftim nga Spitali Rajonal Fier për një shtetas që kishte shkuar në urgjencë i goditur.
Menjëherë me marrjen e njoftimit, në Spitalin Rajonal Fier kanë shkuar forcat policore të Drejtorisë së Policisë Qarkut dhe nga veprimet e para ka rezultuar se personi i dëmtuar ishte shtetasi Mithat Hoxha, 50 vjeç, banues ne Roskovec.
Nga deklarimet e mjekëve, ky shtetas është goditur me grushte dhe ndodhet i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.
I dëmtuari mbrëmjen e djeshme dhe ditën e sotme nuk i ka dhënë asnjë shpjegim policisë për ngjarjen, me arsyen se ndihej i turbulluar dhe nuk mund të jepte shpjegime për momentin.
Në lidhje me pretendimet e FRD dhe familjareve të të dëmtuarit, se personi në fjalë është kërcënuar dhe për këtë është vënë në dijeni Policia e Shtetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier shpreh keqardhjen, pasi nuk ka pasur asnjë denoncim të mëparshëm nga shtetasi Mithat Hoxha, në Policinë e Qarkut Fier.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Fier, menjëherë me marrjen e njoftimit, që mbrëmjen e djeshme ka nisur hetimet dhe është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes, motivet e saj, identifikimin dhe kapjen e autorëve, thuhet në njoftimin e policisë./b.l