E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë qershori në vitin 2029

kulla uahsington

Nga Pëllumb Kulla

Japonezët nuk duan ta dinë kush-me-kë përplaset për pushtet në  vendin e shqipeve. Nuk dërgojnë vëzhgues, nuk kanë interesa, nuk paguhen nga qeveria shqiptare, nuk i njohin dy anët dhe vetvetiu nuk mbajnë asnjërën prej tyre.

Megjithatë ata nuk lenë pa mbajtur shënim çfarë bën vaki mbi sheshet e kësaj bote.

U mrekullova nga një kampion i teknologjisë, që japonët duarartë po futin në treg në vitet që vijnë e që unë e hasa në një ekspozitë marramendese, në vizitën e shkurtër në Tokio, teksa erëra të nxehta elektorale fshikullojnë këto ditë në Shqipëri.

Ajo që pashë, ishte një ëndërr  Le të zgjohesh sa të duash, prapë në ëndërr mbetesh! Ishte një lloj makine kompjuterike me një stampë ku shkruhej Miyako Monozukuri Kish edhe disa gërma e shenja të tjera, që nuk i shënova dot. Një mrekulli! Themi ne, që janë përpara gjermanët, kinezët, amerikanët, por në atë ekspozitë bëheshe qesharak ta zije në gojë këtë. Sapo u njoha me makinën, në tre ditët më pas, nuk iu ndava.

Ishte një aparaturë që merrte dhe përpunonte miliarda e miliarda të dhëna, emra, shenja Interpretonte zhvillime, tendenca, rezultate dhe shpesh fuste koeficiente të papriturash dhe ja, mrekullia: të jepte në pëllëmbë të dorës historinë e botës dhe të shteteve të veçantë, deri në gjashtëmbëdhjetë vjet avancë! Të dukej se befas të jepej të shijoje të pamundurën. Këta japonezët famëmëdhenj nuk të thërrisnin aty të testoje shpikjen Jo-jo, ishe ti që testoheshe nëse mund ta mbaje peshën e ngjarjeve që vijnë, nëse e duroje dot, apo përfundoje i goditur, sikurse jam tani edhe unë, nga këto që po matem të rrëfej.

Nuk po ndalem, se cila aventurë më shpuri dhe si u gjenda atje. Më lejoni veç tju tregoj se çpashë.

Natyrisht u përqendrova te vendi që më interesonte dhe e gradova kërkimin në të gjashtëmbëdhjetin vit që këtej në terrenin tonë të 2029-ës. Pashë foto fantastike, njerëz që njoh, por këtë herë më të vjetër, dhe që unë vetë ndoshta atëherë do të kem mbyllur sytë e nuk do arrij ti shoh ashtu. Ishte një si paradhënie, si biçim privilegji, që më bëri ajo aparaturë japoneze që rend e rend përpara në kohë. Pashë video lloj-lloj, pamje qytetesh, me ca ndryshime natyrisht, ura, rrugë të reja (bile edhe ndonjë inaugurim të tyre, herë herë). Pashë mbledhje të parlamentit. Më zuri syri dhe Fahri Balliun mes deputetëve. Më së fundi, Fahrikja! Parlamenti mblidhej në atë ndërtesën që mblidhet sot, vetëm se e lyer ndryshe. Gazeta elektronike me tituj të mëdhenj të jepnin idenë e ndryshimeve. Vetëm në majë të pushtetit nuk kish ndryshim. Qeverinë e kishte ende Partia Demokratike Dhe aty nënvizohej se qëkur lideri i saj i atëhershëm vodhi votat më 2009, pushteti nuk qe lëshuar më, sado që vëzhguesit ndërkombëtarë në çdo katër vjet kishin vërejtur se zgjedhjet e mëpasme kishin bërë nga një hap më përpara. Tani kryetar i Partisë Demokratike qe bërë Kastriot Islami, zgjedhur me unanimitet. Dhe bile kish marrë edhe postin e kryeministrit, e që ditën e parë kish kërcënuar se rebelëve opozitarë do tu thyente kafkat. Linte përshtypjen e një specialisti kafkash Berisha ishte kryetar nderi tani, i plakur natyrisht Nuk lëvizte shumë. Kur do të kalonte ai nëpër bulevard, trafiku ndalej dy ditë përpara, snajperët zinin vend mbi tarracat e ministrive dhe në katër pesë vende, si rastësisht, shfaqeshin tanket.  Përpara godinës së kryeministrisë ish ngritur një shtatore e lartë për të, dhe në ballë të piedestalit lexohej me gërma prej bronxi një e thënme lapidare e zonjës Topalli: Kur themi PD, ajo është Sali Berisha! Ne themi Partia dhe nënkuptojmë Berisha! Ne themi Berisha dhe nënkuptojmë prapë Berisha! Ne nuk themi asgjë dhe nënkuptojmë po atë! Një fotografi e madhe tregonte ditën e zbulimit të shtatores. Shiritin e priste vetë ai, shtatorja prej mishi, plaku Sali, i Berishajve. Jozefina kishte ngjyer leshrat. Ishte bërë ministre e mbrojtjes tani, dhe në kartvizitën e saj qe vizatuar një flakëhedhëse. Kalova një sy mbi listën e ministrave të tjerë I kulturës qe bërë Petrit Beci, i jashtëm Polloja, i brendshëm Artan Hoxha. Selami ish emëruar prefekt i qarkut të Elbasanit dhe rezidencën e kish kërkuar në Librazhd. Një video tregonte një manifestim të fuqishëm, ku një turmë kërkonte hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Në një gazetë i kërkonin llogari mikut tim, Maks Velos, se si e qysh në këtë zhdukje, krehje dhe fshehje dokumentash, artisti i shquar Velo, me një mllef të pashuar kadarejan, ngulte këmbë prej vitesh që Arshi Pipa paskej qenë bashkëpunëtor i maskuar i diktaturës. Ca komentatorë Maksit këtë ia quanin pacipësi Stessa spiaggia, stesso mare!…

Ishte viti 2029, qershor, stinë votash, si tani Kryetari plak premtonte përsëri vizat me ShBA-të në prag të heqjes. Duhej bërë durim edhe katër vjet, përgjërohej ai. Këtë e thosh para mikrofonit, pa grumbuj me flamurë përpara. Nuk u vinin më njerëz nëpër sheshe. Çfarëdo koalicion të shfaqej në tribuna. Duhej mundim i madh ti mblidhje.

Të gjitha gazetat e një dite jepnin lajmin se do të jepej kësti i tretë i shpërblimit të të përndjekurve, si edhe kësti i parë për të tëra përmbytjet që ndodhnin çdo vit, prej njëzet vjetësh. Fushata ish e ndezur. Ilir Meta me trupin e dhjamur, lëvizte me një karrocë me rrota. Ai ish kthyer përsëri në koalicion me demokratët. Ju votoni, ne ju punësojmë! ishte sllogani i përjetshëm i LSI-së. Ramës jepini ujë në bisht të lugës!, ulurinte kryelësëisti. Tërë kryesia e partisë besonte se këtë radhë, më së fundi, posti në krye të ministrave, nuk do ti shpëtonte nga dora Ilirit. Katërvjeçar pas katërvjeçari, Ed Rama kish rënë, ish ngritur, rënë prapë dhe pat ardhur përsëri në krye të PS-së, pasi kish mposhtur rivalët e herëpashershëm, Majkon, Malajn, Blushin, që ia kishin marrë përkohësisht kryesimin. Këtë radhë i binte kryq e tërthor vendit, jo me një, por me tre autobuza mavi. Në një shpallje televizive ai siguronte me be dhe rrufe, se vota ishte e shenjtë! Dhe këtë radhë, këtë radhë, këtë radhë ajo do të mbrohej si kurrë ndonjëherë! Në Rinas pat zbritur grupi i vëzhguesve, që kryesohej për herë të tretë nga një Grossruk. Jo nga ai i pari, as nga djali i tij, ishte i nipi tani. Për koincidencë, edhe nga Departmenti i Shtetit kishte ardhur po ai Jonathan Moore, që mbante po atë post dhe po ato syza. Tullac tanimë. Binte në sy një deklaratë e tij në konferencën e shtypit: I gjithë preokupimi që ka Shtëpia e Bardhë dhe Presidentja Çellsi Kllinton, është që të pranohet rezultati. Një gazetar, Ad Thano, e pat pyetur: edhe po të vidhen votat përsëri, paturpësisht, hapur?!!. Zoti Moore i ish përgjigjur prerë: ne, në

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›