E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Berisha: Jam modeli i çdo shqiptari, kam vetëm një apartament 125 metra katror. Rama i ndërron gratë çdo 2 vjet (VIDEO)

berisha ne rrashbullKryeministri Sali Berisha ka vendosur që tani e tutje në fushatë të bëjë krahasimin mes tij dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama.

Në një tubim elektoral në Rrashbull të Durrësit, i lodhur dhe i ngjirur, Berisha tha se ai është modeli ku çdo shqiptar gjen vetveten. Kurse Rama është një njeri që nuk e di se çfarë është familja dhe vlerat e saj.

Por unë jam këtu gjithashtu, për tju kërkuar juve, për tju kërkuar socialistëve të Rrashbullit, Durrësit, Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve të mendojnë për një moment. Këto ditë përballen dy modele. Modeli i Sali Berishës, modeli juaj, i një njeriu që beson tek puna, beson tek familja, beson tek Zoti, beson tek vendi i tij, një njeri që ka faktuar se i qëndron besimeve dhe fjalëve të tij, një njëri që është 20 vjet në politikë dhe jeton në një apartament 125 metër katror, një njeri që është 20 vjet në politikë dhe ka bërë gjithçka në interes të vendit të tij, ka mbrojtur në çdo kohe interesin kombëtar të vendit dhe kombit të tij, është përpjekur sëbashku me ju për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për statusin e vendit kandidat, sëbashku me ju mbrojti ekonominë shqiptare nga kriza lubi që po përpin ekonomitë e vendeve të tjera, sëbashku me ju kontribuoi për forcimin e iniciativës private dhe që i thotë fjalës fjalë, tha Berisha.

Në krahun tjetër, ju keni një politikan që gjithë ditën flet për shkatërrim, një model që flet për shkatërrim, flet për hekura burgjesh e hekura arrestimesh, keni një njeri i cili ka faktuar se çjanë për të vlerat e familjes, që i ndërron gratë çdo dy vjet, sipas oportuniteteve, keni një njeri që niset drejt karriges së lartë të ekzekutivit me një vilë 57 metra të gjatë dhe një pallat në shpinë dhe nuk tregon një qindarkë se me se po i ndërton ato, një njeri i cili për interesa të veta bllokoi dhe mori peng një vit statusin e vendit kandidat, një njeri që për interesa të karriges së tij i vuri flakën institucioneve dhe donte të vinte në pushtet me dhunë, një njeri i cili ka grumbulluar rreth vetes një grup miliarderësh, vetëm e vetëm për ti fryrë e pasuruar më tej ata në kurrizin tuaj, një njeri i cili ju parashtron sot dogmat e regjimit të shkuar, qytetarët pa taksa, siç deklaronin etërit e tij 45 vjet me radhë, ndërkohë që rriti me taksa indirekte më shumë se kushdo tjetër qytetarët shqiptarë, një njeri që nuk ka durim të dëgjojë njeri, një brutal që agreson fizikisht bashkëbiseduesit e tij.

Këto janë modelet. Ndaj dhe ju ftoj gjakftohtësish ti mendoni këto dy modele. Ju garantoj se tek Sali Berisha, çdo shqiptar do të gjejë modelin e tij. Ndaj ju ftoj ju, ftoj të gjithë socialistët e Rrashbullit, demokratët e qytetarët pa parti, socialistët e Durrësit, Tiranës e mbarë Shqipërisë të mendojnë këto ditë më shumë se kurrë për alternativën, për modelet. Do e gjejnë veten shumë herë më afër me ne, më afër me ju, më afër me Sali Berishën, sepse ata janë për integrimin, janë për punësimin, për mirëqenien, për të ardhmen, sepse ata besojnë në punën, jetojnë me punën e tyre, besojnë në familjen, besojnë në vendin./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›