TemA TV/ Miting i jashtëzakonshëm i PS në Lezhë. Rama: Berisha do mandatin e pestë, por po humbet të katërtin (VIDEO)
Në një shesh të tejmbushur nga ngjyrat e Rilindjes në qendër të qytetit të Lezhës, kryesocialisti Edi Rama tha se në këtë qark do të marrë një mandat më tepër se në 2009.
As në ëndërr nuk e kisha menduar këtë lumë njerëzish. Kjo është Love and Peace Generation. Skuadra udhëhiqet nga një yll që shkëlqen, Mimi Kodheli. Do t’i dalim për zot çdo zotimi që kemi marrë. Katragjyshi thotë se do të marrë mandatin e 5-të në Lezhë, por i ka ikur mandati i 4-rt, se ai është shumë i lodhur, u shpreh lideri i opozitës.
Rama akuzoi liderin e mazhorancës se me duart e zhytura në korrupsion, kërkon një mandat të tretë për të zhvatur pronat e shqiptarëve.
E keni dëgjuar të thotë: lodhemi çdo ditë për popullin. Por atëherë pse populli nuk ka ujë, pse përmbytet sa herë bie shi, pse duhet të hapë populli derën e spitalit duke paguar, pse 57 % e fëmijëve janë analfabetë funksionalë, pse është i përballur populli kaq shumë me krimet??, nënvizoi Rama.
Saliu është i lodhur, jo se i shërben popullit, por se është rënduar shumë nga zullumet e pushtetit dhe nuk rri dot më në qafën e popullit. Veç zullumeve duhet të mbajë edhe antiplumbin, ai e lodh jo vetëm nga pesha e hekurave, por edhe nga pesha e mëkateve, deklaroi nga Lezha lideri i PS-së.
Lezha po jep një mesazh të fuqishëm: ka vendosur të mos votojë më symbyllur për partinë, por sy hapur për Rilindjen për të hapur rrugën për vetveten. Kujtoni 44 dhe votoni 29, e mbylli fjalën e tij Rama.