E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, rënia e një modeli Nuk iku, e hoqën

dokuEshtë padyshim figura më kontraverse e historisë shqiptare, një nga tre kulmet e trekëndëshit që përfshijnë Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. E njëjta teknologji e aftë të krijojë një marrëdhënie të paprerë mes dashurisë dhe urrjejtjes, gënjeshtrës dhe autosugjestionit. Sali Berisha është një figurë plot ditëhije, por me shumë më shumë hije sesa dritë. Përmasat e një puzzle politik, copëza të të cilit nuk ndodhen vetëm në Shqipëri

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA

Pothuaj pesë vjet më parë, në gusht 2008, Sali Berisha suprizoi me një veprim që zakonisht e bëjnë të dashuruarit. Në majën e malit të Dajtit ai fshehu në shishe një mesazh, që pretendoi se do të hapej vetëm në vitin 2020. Të dashuruarit, premtimet e dashurisë i hedhin në det. Berisha, asokohe dhe gjithë kohën tjetër është dashnor i madh e pasionant i pushtetit dhe mesazhin e tij e mbylli në mal. Pothuaj pesë vjet më pas, të dielën e zgjedhjeve, megjithatë, ai kuptoi se dëshmitarët e tij të 23 viteve, i dhanë divorcin me pushtetin. Tre ditët që pasuan ai heshti dhe të mërkurën, pranoi dhe vetë një gjë të tillë e tha të vetmen fjali që nuk e kishte thënë kurrë në jetën e tij: Po iki! Dhe ktheu krahët përballë një turme pasionante që i përpinte fjalët dhe dëneste. Ndoshta më shumë se për ikjen e pabesueshme të tijën, dëneste për veten. Çdo humbje është në proporcion me pritshmërinë personale: Berisha humbi pushtetin real dhe u duk se dënesi, dikush humbi portofolin e ministrit, mandatin e deputetit, por ata nuk ndodheshin në turmë që tu dallohej dënesja, shumëkush tjetër kuptoi humbjen e skuadrës për të cilën bënte tifozllëk, pavarësisht se ishte po aq i varfër, po aq i dërmuar sa tifozi i skuadrës tjetër fituese që festonte pikërisht atë për të cilën pala tjetër qante.

Një epilog befasues

Një politikan, në ballafaqimin e tij me të nesërmen, më së shumti mbahet mend për epilogun e karrierës së tij direkte politike sesa për vetë karrierën e tij. Në epilogun e tij Berisha mund të mburret se la pas dhe iku me zgjedhje që ishin absolutisht më të mirat në gjithë atë set zgjedhjesh alla shqiptare. Edhe pse gjatë fushatës e përpara saj përdori gjithçka kishte mundësi e në dorë, që nga administrata dhe strukturat e shtetit, nga policia, tek fëmijët e deri tek hipokrizia, gënjeshtrat e lumi i parave, ai i rezistoi tundimit që të ndërhynte në pikën thelbësore të zgjedhjeve: numërimin e votave. I rezistoi dhe tundimit se do të vazhdonte të ishte qëndrestar dhe se do të ngrinte buzëqeshjen e fituesit, siç kishte premtuar të bënte dhe bëri në 2001-shin. Në të kundërt, pranoi rezultatin dhe me një gjest të jashtëzakonshëm politik që i fliste më së shumti të nesërmes, morri mbi vete gjithë përgjegjësinë për disfatën elektorale. Duke shfajësuar kështu gjithë të tjerët në parti, duke ju hequr atyre sikletet e pafundme të debateve e rivaliteteve të llojit, çfarë bëra unë e çfarë bërë ti dhe duke hapur në këtë mënyrë, skenaret e PD-së së nesërme. Një proces që hyri në tranzicion disa mujor dhe që në fillim të vjeshtës do të afrojë rezultatin e tij, por që padyshim dhe jashtë çdo dyshimi, në thelb do të ketë emrin, fytyrën dhe vulën personale të vetë Berishës, pavarësisht formës që do të zgjidhet. Tashmë ai ka kuptuar nevojën e rithemelimit të PD-së. Mbasi mblodhi gjithkënd që kishte përzënë në vite, mbasi më së fundi të gjithë e pranuan si destin që kjo parti është pronë private e atij vetë, Berisha paralajmëroi transferimin e tapisë së saj. Në dukje e ka bërë zgjedhjen. Ai është Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës, i vetmi që ka konkuruar dy vjet më parë me drejtuesin e opozitës që tani dy vjet më pas i mundi të gjithë. Ka një pafundësi arsyesh që e çojnë Berishën drejt një zgjedhjeje të tillë, ashtu siç ka dhe një mori arsyesh që pikërisht kjo kandidaturë e mundshme dhe krijesë e tij politike, mund të rrëzohet. Luajaliteti i tij me Berishën e sidomos problemet e mbartura nga e shkuara që nisin që me rrugën Durrës-Kukës e deri tek e Premtja e Zezë e 21 Janarit, mund edhe të kthehen kundër tij. E sigurt është që e nesërmja e PD-së do të reflektojë ekuilibret e rinj, brenda drejtuesve trandicionalë të saj si Topalli, Olldashi, Bode e Patozi, Imami, Ruli e të tjerë, por në proporcion me atë sesa do të dojë vetë Berisha të krijohen këto ekuilibra.

Vota për demokracinë

Sali Berisha është padyshim personazhi më kontravers i Shqipërisë pluraliste dhe me siguri do të jetë i fundmi i trinomit të ndryshëm/të ngjashëm me paraardhësit e tij, Zogu e Hoxha. Ahmet Zogun e urrente në rininë e tij komuniste, e përbuzte gjatë rinisë së tij politike dhe e dashuroi me pasion në pjesën e fundit të karrierës së tij të vrullshme. Enver Hoxhën e idhujtarizonte në rininë e tij komuniste, e urreu egërsisht në rininë e tij politike dhe e imitoi dukshëm në pjesën e fundit të karrierës së tij.

Ai ishte edhe njëri, edhe tjetri.

Ai ishte herë njëri dhe herë tjetri.

Sali Berisha bashkohej me Zogun dhe Hoxhën në arrogancën me të cilën ushtronte pushtetin dhe diferencohej nga bashkëpunëtorët, bashkohej në mënyrën sesi personalizoi politikën dhe ndërtoi e lejoi bashkëpunëtorët ti ngrejnë kultin e frikshëm të individit, ngjante me ta në mënyrën sesi trajtoi miqtë e armiqtë dhe ishte identik me ta në shkëputjen totale nga realiteti. Ndryshon nga ta vetëm në kontekst kohor dhe modelet e kostumeve që vesh, ndryshon në formë, por jo në thelb me ta, njëlloj ballkanas e dinak, njëlloj i gatshëm të shenjtërojë çdo mjet për hir të qëllimit për pushtet dhe pushtetit si qëllim në vetvete.

Sali Berisha është qënie e mirëfilltë politike, me shumë dritëhije, me shumë më shumë hije sesa dritë, ai njeri është kasaforta e mbyllur e gjithë paqartësive, anktheve e dilemave që kanë shoqëruar rrugëtimin e vendit në pluralizëm. Duke nisur që me dhjetorin e 90-ës, rolit të tij në atë kapërcyell kohor, faktit sesi u përfshi, kush e përfshiu dhe si monopolizoi një lëvizje që nuk ishte e tij.

Ai qëndron pas gjithçkaje të mirë dhe të ligë, që ka ndodhur në Shqipëri; i aftë të personalizonte gjithçka në anën e tij politike, por shumë shpesh kushtëzues i anës tjetër të gardhit politik, i gatshëm për pirueta që do ti merrnin mendjen çdo balerine, por që e ktheu baletin politik në ringun e vetëm të politikës shqiptare. Autoritarist dhe pragmatist, ai gaboi vetëm në një pikë të verifikuar dhe nga eksperienca e varfër politike në vend: pushteti bie nga pesha e tij.

Më shumë se kaq, Berisha ra sepse ju kundërvu sistemit dhe u shndërrua në një rrezik serioz për vetë demokracinë që në thelb parasheh balancën

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›