TemA TV/ Kromi shkakton viktimat e radhës, autori i arrestuar për tentativë vrasje, dënohet vetëm tetë muaj burg (VIDEO)
Përplasjet mes grupeve kriminale, që sundojnë galeritë e kromit në Bulqizë, kanë shkaktuar viktimat e radhës.
Një person ka gjetur vdekjen dhe një tjetër është në gjendje të rëndë, ndërkohë që për minuta të tëra qyteti është terrorizuar nga breshëritë e kallashnikovit.
Shefqet Shehu ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa vëllai i tij, Vedat Shehu, është në gjendje të rëndë, ndërsa policia ka bërë të ditur se ka arrestuar autorin e krimit.
Ngjarja e paralajmëruar ka shtuar bilancin tragjik të përplasjeve të grupeve që prej vitesh sundojnë minierën e Bulqizës, ndërkohë që policia vetëm ka bërë të ditur autorin e dyshuar të vrasjes, Fadil Tërnova.
Në raportimet e para policia tha se ndërmjet vëllezërve Shehu dhe Fadil Tërnovës ka pasur konflikte të hershme, e sipas saj, ky është edhe motivi i vrasjes së dyfishtë.
Tërnova, i arrestuar për tentativë vrasje dënohet vetëm tetë muaj murg
Shefqet Shehu do të ishte gjallë nëse drejtësia do të tregohej më e ashpër ndaj Fadil Tërnovës, i dyshuari si autor i krimit ndaj vëllezërve Shehu.
Ish- drejtues të policisë së qarkut të Dibrës thanë për TemA-n se në janar të vitit 2012 kanë arrestuar Tërnovën me akuzën e tentativës së vrasjes dhe posedimit të armëve të zjarrit pa leje.
Sipas të njëjtave burime, konflikti i Tërnovës me vëllezërit Shehu ishte përplasje për kontrollimin e galerive në minierën e Bulqizës, konflikt që me sa duket Tërnova ka dashtë ti japë fund duke ekzekutuar dy vëllezërit Shehu.
Por megjithëse dosja në ngarkim të autorit të vrasjes është e zezë, Fadil Tërnova ka fituar lirinë pak muaj pas arrestimit të tij.
Ish- drejtues të policisë thonë se dinë që Tërnonva është dënuar me 7 vjet heqje lirie pas arrestimit të tij për tentative vrasje, por në Gjykatën e Apelit dosja për gjykim ka mbërritur me akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Megjithatë edhe për këtë akuzë Tërnova është dënuar vetëm me 8 muaj burgim, çka ka sjellë lirimin e tij në gusht të vitit 2012. Qëndrimi prej tetë muajsh në burgu duket se ska zbutur aspak konfliktet mes tij dhe vëllezërve Shehu.
Lufta e posedimit të galerive të kromit është aq e ethshme sa edhe ndërhyrjet e policisë nuk kanë sjellë paqtimin e dy grupeve rivale në qytetin e Bulqizës.
E ndërsa ngjarja e së shtunës nuk është e para në këtë qytet, burime të policisë thanë se pistë të vetme të hetimit kanë konfliktet e hershme mes Tërnovës dhe vëllezërve Shehu.
Policia nuk ka dhënë shumë detaje për hetimet në Bulqizë, por vrasja ishte një kronikë e paralajmëruar.
Vrasje e paralajmëruar
Ekzekutimi i Shefqet Shehut është një kronikë e paralajmëruar e vrasjeve që ndodhin në qytetin e Bulqizës. Prej vitesh, kromi është kthyer në arin e zi që shton numrin e viktima e pasuron bosët që posedojnë galeritë e nëndheshme. Ekzistojnë banda kriminale që përleshen mes tyre, si në nëntokë ashtu dhe në sipërfaqe, ndërsa strukturat e shtetit heshtin përballë kësaj kasaphane.
Ngjarja e fundit është prova më e fortë për sa ndodh në Bulqizë. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme janë në dijeni të ekzistencës së grupeve kriminale që sundojnë minierën e Bulqizës, përplasja mes të cilëve ka shkaktuar disa të vrarë në këtë qytet.
Ekzistojnë raporte që flasin për ekzistencën e grupeve që përleshen me armë mes qytetit për sundim të territorit të kromit. Raporte që flasin për lidhjet mes bizneseve legale dhe ilegale si dhe politikës, se si janë kthyer në zotër të pasurisë kombëtare dhe shfrytëzojnë stoqet dhe galeritë e kromit. Raporte që dëshmojnë se e gjithë kjo situatë ka sjellë përfitime me miliona euro për të zotët e kromit, ndërkohë që punëtorët janë shndërruar në skllevër, ku nga thellësia e shpellave të nëntokës sigurojnë mbijetesën, sigurisht me lejen e të fortëve që shkojnë e vijnë nga qyteti në kryeqytet.
Raporti që zbulon bandat e kromit
Minatorët nxjerrin nga nëntoka krom për një pagesë qesharake. Të fortë e grumbullojnë e më pas me një çmim shumë të ulët ua shesin kromin kompanive të licencuara, më pas transportohet në Durrës si një mall i pastër ligjërisht. Kjo është gjithë skema e abuzimit dhe e përfitimit të kromit të Bulqizës.
Së paku, këtë ka vënë në dukje raporti i oficerëve të sektorit kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Qarkut të Dibrës, raport të cilin e kanë edhe drejtuesit e Policinë e Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Raporti i hartuar në vitin 2012, bën me dije se cilat janë grupe kriminale si dhe mekanizmin e abuzimit të firmave të licencuara në shfrytëzimin e kromit në minierën e Bulqizës.
Sipas oficerëve të krimeve, shfrytëzimi i paligjshëm ka qenë shkak për ngjarje të rënda, të cilat kanë çuar në përplasjen me armë zjarri të grupeve rivale.
Ky është motivi i përplasjes mes grupit të Ilir Jangullit dhe Destan Gjetës dhe atij të Ilia Duriçit, ku është ekzekutuar një person i pafajshëm në qendër të qytetit.
Raporti evidenton se ky aktivitet ushtrohet në galeritë nr.18,58,42,49,63,57,60,48 dhe galerinë B.
Nga informacionet e grumbulluara në rrugë operative të policisë rezultojnë që në këto galeri ushtrojnë veprimtarinë e tyre këta persona: Në galerinë nr 60, zona D punojnë në mënyrë të jashtëligjshme një grup punëtorësh për llogari të Esat Çupit dhe Besnik Çupit.
Minerali i prodhuar transportohet nga hyrja e galerisë për në shesh-grumbullimin e zonës D me kafshë ose me karroca dore. Po sipas këtij informacioni, në galeri B punojnë një grup punëtorësh për llogari të shtetasit Luan Tërnova, të cilët mineralin e nxjerrë ia shesin firmave të licencuara.
E njëjta gjë ndodh dhe në galeritë nr. 57 dhe 63 dhe këto në zonën D të minierës së Bulqizës.
Këtu punojnë në mënyrë të kundërligjshme një grup minatorësh për llogari të shtetasve Roland Duriçi, Naim Shabani e Fitim Tançi. Ndërsa në galerinë nr. 48 nxjerrësit e kromit punojnë për llogari të Ilirian Jangullit dhe Destan Gjetës, që janë persona të shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes së kryer në bashkëpunim. Në galerinë 49 punojnë njerëz nën llogarinë e Urim Tançit, ndërsa në galerinë nr 42 minatorët punojnë për llogari të Astrit Shehut, thuhet në raportin që përshkruan hollësisht ekzistencën e grupeve që kryejnë veprimtari të paligjshme në Minierën e Bulqizës.
Por megjithëse informacioni ekziston i plotë tek institucionet shqiptare, miniera e Bulqizës vazhdon të jetë një histori skllevërish dhe mafiozësh. Një histori krimi, ku kromi për banorët e B
