TemA TV/ Për PD-në Muho tashmë është i kapur nga krimi! Topalli: Emërimi i tij, atentati më i madh në Kuvend (VIDEO)
Deputetët demokratë, gjatë argumentimeve të tyre në seancën e sotme plenare për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirian Muho, kanë nxjerrë një tjetër arsye pse Muho duhet të largohet nga KQZ.
Sipas deputetëve Paloka dhe Kadilli, Ilirian Muho ka precedentë të dyshimtë, pasi sipas tyre, Muho është shkarkuar nga presidenti disa vite më parë, kur ka qenë prokuror. Kjo, sipas tyre, është një argument i fortë që Muho të lirohet.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka thënë se propozimi dhe emërimi i Ilirian Muhos, ka qenë një nga atentatet më të mëdha në Kuvend. Sipas tij, Muho është peng i krimit dhe PS e ka ditur këtë gjë. Topalli ka thënë se Muho është shkarkuar me propozim të Theodhori Sollakut, pasi ka liruar një prej kriminelëve më të rrezikshëm në Fier.
Propozuesi që ka sjellë Ilirian Muhon si kandidat në Kuvend, na kanë mashtruar. Ky është atentati më i madh për Kuvendin. Ilirian Muho ka gënjyer dhe ka mashtruar Parlamentin, pasi nuk ka treguar që është shkarkuar nga presidenti me propozim të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, që është juaji. Muho është shkarkuar sepse ka liruar një prej kriminelëve më të rrezikshëm në Fier. Kam 18 vite në Parlament dhe në dijeninë time nuk ka ndodhur një mashtrim dhe një atentat i tillë ndaj Kuvendi. Emërimi i tij ka qenë i paligjshëm. Do mjaftonte kaq që propozuesi të kërkonte falje dhe së dyti ju që e dinit duhet të kërkonit falje. Muho është peng i krimit dhe për këtë arsye me të nuk mund të ketë KQZ të pavarur. Emërimi i tij është turpi i këtij parlamenti, ka thënë Topalli.
Ajo që të bën përshtypje është fakti se kur e votuan me unanimitet Ilirian Muhon, deputetët demokratë nuk e dinin këtë detaj, ndërkohë që tani që duan ta lirojnë, paskan mësuar edhe një fakt të ri./b.l