TemA TV/ Meta: Berisha premton heqjen e vizave me SHBA, amerikanët i kanë hequr vizën me kohë (VIDEO)
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim në qytetin e Kuçovës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në qarkun e Beratit.
Në fjalën e tij, kreu i LSI, Ilir Meta tha se kjo krizë ekonomike, financiare, evropiane dhe botërore tregoi në mënyrë të qartë se tregu nuk mund të zgjidhë çdo gjë.
Meta deklaroi se qytetarët janë ngopur me gënjeshtra dhe me mashtrime dhe jam i bindur që qeshni kur dëgjoni se si Berisha ju flet yjeve duke harruar qytetarët këtu në Kuçovë dhe në të gjithë këto zona. Në muajin dhjetor ne deputetët e LSI-së vendosëm veton për buxhetin që do të kalonte në parlament, sepse nuk ishte parashikuar asnjë lek për rikonstruksionin e rrugës që lidh Lushnjen me Beratin dhe me Kuçovën, e cila ka qenë në gjendje katastrofike dhe kështu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.
Pas ndërhyrjes sonë u vendosën në buxhet gati 5 milionë euro, por asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë investim dhe rikonstruksion për këto rrugë të rëndësishme, për Kuçovën, për Beratin, nuk është realizuar ndërkohë që siç e keni ndjekur edhe ju nga mediat, vetëm para pak ditësh 400 mijë dollarë nga fondi rezervë që qeveria duhet të ruajë për emergjenca dhe fatkeqësi natyrore ia janë dhënë një kompanie në SHBA për të lobuar, për të dezinformuar SHBA-të sipas interesit të Kryeministrit që po largohet.
Kreu i LSI tha se Amerika ia ka hequr vizën Berishës.
Amerika ia ka hequr me kohë vizën doktorit, pavarësisht së ai premton se do tu heqë vizat shqiptarëve me SHBA. Dhe kjo për arsye sepse përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme është e papranueshme, jo vetëm për perëndimin, por edhe për ne si qytetarë të një vendi që dëshiron dhe do të integrohet në Bashkimin Evropian. Shikoni se sa jo serioz është Berisha edhe më çështjen e integrimit. Ka akuzuar për një kohë të gjatë PS-në se nuk voton tre ligjet, por kur unë propozova prej dy javësh një kompromis të cilin Edi Rama e pranoi, që tre ligjet të votohen tani në këtë parlament, vetëm me një ndryshim, që ato të hyjnë në fuqi në shtator me parlamentin e ri. Berisha bëri sikur nuk e dëgjoi këtë kompromis apo propozim dhe vazhdon atë refrenin e tij të vjetër duke thënë hajde votojini se unë tre ligjet i kam këtu. Në fakt, shqetësimi i tij nuk është integrimi evropian i vendit, por shqetësimi i tij është se si të shkojë në vendet e reja në Gjykatën e Lartë për të krijuar kolegjin Administrativ për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative, njerëz si partiakë të besuar, të cilët në vend që të japin drejtësi, do të jepnin padrejtësi dhe politikë, tha Meta.
Kryetari i LSI tha se fitorja është e padiskutueshme.
Është një front i gjerë opozitar përballë një të djathte të përçarë dhe njëkohësisht në panik. Ndaj të gjitha votat për LSI-në, të gjitha votat për rrotacionin që duhet të ndodhë në 23 qershor dhe që do të ndodhë, por edhe për një faqe të re që do të hapet për Kuçovën dhe Shqipërinë në 24 qershor./ep