E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV- DEKLARATA/ Shpëtim Gjika: Arben Malaj të tërhiqet, votat e tij shkojnë në favor të PD-së (VIDEO)

gjikaKryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka reaguar me anë të një deklarate ndaj daljes së Arben Malajt si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës.

Në deklaratën e Gjikës thuhet se ata nuk do mbështesin Arben Malajn, pasi ai ka prerë në besë socialistët. Sipas Gjikës, Malaj duhet të tërhiqet pasi votat e tij do të shkojnë në favor të Partisë Demokratike.

DEKLARATA

Jemi sot këtu për të shprehur një qëndrim të vendosur e të prerë, por edhe të qartë e pa asnjë dykuptimësi:

Ne, si përfaqësues të mandatuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë e të zgjedhur me votë popullore në pushtetin vendor, në emër edhe të të gjitha strukturave të PS në Vlorë, në emër të secilës zemër socialiste e opozitare që po numëron me padurim çdo rrahje të saj deri në fitoren e madhe historike të 23 qershorit:

Jemi KUNDËR veprimit politik të z. Arben Malaj për të kandiduar si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës në zgjedhjet politike që do të mbahen në 23 qershor.

Dhe jo vetëm që ne nuk e mbështesim,jo vetëm që jemi kategorikisht kundër, por jemi të gjithë shumë të indinjuar e të revoltuar  për faktin që një anëtar i familjes sonë të madhe socialiste, një drejtues i PS në qendër, me të drejtë fjale e vote në kryesi e në strukturat drejtuese, në një formë që ne e vlerësojmë si të pabesë e të pamoralshme, del nga pas shpine e kërkon të përdhosë atë që do të jetë në qarkun e Vlorës e në të gjithë Shqipërinë:

Fitorja historike e këtij populli që prej 8 vitesh mezi pret të çlirohet me fuqinë e votës së tij nga pushteti hajdut e vrastar i Sali Berishës.

Dëshirojmë me këtë rast ti kujtojmë z. Malaj, nëse vërtet e ka harruar, se ai është ende borxhli ndaj Vlorës e vlonjatëve, ndaj socialistëve vlonjatë sidomos.

Qysh në korrik 1992 ishim bashkë në të parën betejë politike, në zgjedhjet vendore, ku ai pati privilegjin të ishte kandidati i PS për kryetar bashkie dhe vetëm për një grusht votash nuk u bë i tillë.

Që nga ajo ditë, me votën e socialistëve vlonjatë z. Malaj bëri përpara në karrierën e tij politike, në Kuvend e në Qeveri, në të gjitha qeveritë socialiste, në të gjitha grupet parlamentare socialiste.

Ne, si vlonjatë, mund edhe të kemi pasur pakënaqësi, sidomos për kohën kur ishte ministër i qeverive socialiste, po kurrë sia mohuam mbështetjen e të drejtën për të na përfaqësuar.

Mirëpo ky mandat i fundit si deputet, e sidomos sjellja e tij e këtyre ditëve, dëshmojnë për një politikan të përkëdhelur e të llastuar keqazi nga kjo mbështetje.

Aq keq, saqë krejt ndryshe nga qëndrimi i matur e dinjitoz i kolegëve të tij Arben Isaraj, Eltar Deda etj, ai se ka për gjë as të na dalë kundër, të dalë kundër aspiratave të mijëra e mijëra socialistëve vlonjatë e familjeve të tyre.

Gjatë këtyre ditëve, z. Malaj flet si vlonjat e në emër të vlonjatëve, duke dashur të përligjë qëndrimin e tij tanimë prej opozitari të opozitës, me temperamentin e labit të inatosur.

Ne do tia pranonim qejfmbetjen e momentit të parë zotit Malaj, tek e fundit ishte mësuar për një kohë të gjatë të ishte në rresht të parë, madje edhe kur stononte me zërin e arsyeshëm të shumicës në PS.

Por Arben Malaj e harroi se ai ishte dhe është në politikë, jo vetëm si një investim i tij personal, por në radhë të parë si një investim i elektoratit që e ka votuar si pjesë e ekipit socialist.

Një investim që jo gjithmonë iu shpërblye në vlerën e merituar atyre.

Ai as denjoi të konsultohej me ta para se të merrte një vendim kaq të rëndësishëm politik për atë vetë, por edhe për ta, para se ti priste në besë me këtë kandidim që vetëm kandidim smund të jetë.

Sepse si profesionist i llogarive, z. Malaj e di shumë mirë se ky kandidim, si gjoja i pavarur, nuk mund ta çojë atë asgjëkundi.

Në Kuvendin e Shqipërisë jo e jo.

Ai as që mund ta cenojë sadopak fitoren e qartë dhe plebishitare të PS  dhe të opozitës së bashkuar në qarkun e Vlorës e në tërë Shqipërinë.

Por ne mendojmë se po gatuhet tjetër gjë.

Si kandidimi i z. Malaj, i z. Prifti, ashtu edhe hedhja në prehrin e Berishës i Islamit etj, janë, për mendimin tonë, tentativa për ti dhënë alibi Berishës që synon ti vërsulet me babëzi votës popullore për ta tjetërsuar e për ta vjedhur, e për të thënë pastaj se nuk ishte ai që i vodhi, por ishte PS që humbi për shkak të gjoja përçarjes.

Jo, të dashur bashkëqytetarë!

PS hyn në këto zgjedhje më e bashkuar e më vendosur se kurrë më parë, më e rritur e më e përgatitur se asnjëherë tjetër për të neutralizuar çdo skenar e çdo mundësi që ky pushtet tashmë i marrë fund synon të jetësojë.

Nuk është mëria e inati që na shtyn neve, socialistëve e të gjithë opozitarëve të bashkuar, të deklarohemi kaq të vendosur për ta larguar me votë këtë qeverisje që kurrsesi se meritojmë.  E kemi vendosur që këtë radhë ne, si Vlorë e si vlonjatë, në emër të një interesi mbarëpopullor e mbipartiak, të përballemi në vijën e parë me Sali Berishën, politikisht, me votë sigurisht, por në mënyrën më të hapur e më të vendosur.

Ndaj ju bëjmë thirrje z. Malaj, të hiqeni mënjanë e të mos na futeni në mes, se rrezikoni të bëheni parzmore e mburojë e Sali Berishës.

Ne e kemi të qartë se çdo votë që mund të marrësh ti, është votë pro Sali Berishës.

Do tia bëjmë të qartë të gjithë popullit opozitar.

Fatmirësisht jemi ende në fillim të fushatës dhe bateritë ende sjanë zbrazur.

Vendi yt, Arben Malaj, është përkrah nesh, ashtu siç e do nderi yt e i familjes tënde.

Presim ta zësh sa më parë e me modesti atë vend.

Mëritë personale do të dimë ti kapërcejmë, si në çdo familje të shëndoshë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›