E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Meta në Lushnje: Pesë vite pa taksa për fermat që operojnë si entitet i vetëm (VIDEO)

meta ne lushnjeKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në një fermë bujqësore në qytetin e Lushnjës. Meta tha se Plani i Punësimit i Lëvizjes Socialiste për Integrim fillon me sektorin e bujqësisë.

Plani ynë për të vënë Shqipërinë në punë natyrisht që fillon nga rimëkëmbja dhe modernizimi i bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese në vend. Fillon nga mbështetja dhe subvencionimi i këtyre aktiviteteve fondamentale, jo vetëm për të rritur mirëqenien e fermerëve tanë por për të rritur prodhimin, për të rritur eksportet e Shqipërisë drejt vendeve të tjera si rruga më e sigurt për një rritje të qëndrueshme dhe për një punësim të qëndrueshëm, tha Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se LSI është e angazhuar për të subvencionuar disa herë më shumë bujqësinë sesa deri më tani.

Në mënyrë të veçantë do të theksoja rëndësinë që ne i kushtojmë subvencionimit me 50 për qind të çmimit për farat e zgjedhura me rendiment të lartë, pasi sot kontrolli i këtyre farave, mungesa e certifikimit të tyre është një problem i madh dhe serioz për mijëra e mijëra fermerë anembanë vendit. Subvencionimi njëkohësisht për sa i takon traktorëve, motokultivatorëve, në mënyrë që ne të nxisim modernizimin e bujqësisë, rritjen e rendimentit të prodhimeve bujqësore në vend, u shpreh meta duke shtuar se është i domosdoshëm krijimi i Shoqërive bujqësore duke i mbështetur ato ferma që operojnë si entitet i vetëm me përjashtimin nga të gjitha taksat për 5 vitet e para të aktivitetit.

Një mbështetje të veçantë do të ketë për sa i takon zhvillimit të serave pasi kostoja e prodhimit në sera është rritur jashtëzakonisht shumë dhe kjo i ka vënë në vështirësi të mëdha të gjithë fermerët që janë të angazhuar në këtë aktivitet. Mbështetja e tyre në të gjitha drejtimet, që nga subvencionimi i një pjese të çmimit për karburantet dhe i të gjitha inputeve të tjera, do të jetë një prioritet i ynë për katër vitet e ardhshme, theksoi Meta./ep

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›