TemA TV/ PD: PS u tërhoq nga përsëritja e zgjedhjeve në Lezhë se ka frikë (VIDEO)
Partia Demokratike ka reaguar me anë të deputetit Oerd Bylykbashi, pas vendimit të PS-së për tu tërhequr nga kërkesa e vet për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës. Sipas Bylykbashit, vendimi i PS-së ka ardhur prej faktit se ka frikë nga përsëritja e zgjedhjeve dhe kërkon të ruajë mandatet e fituara nga vjedhja dhe lekët e drogës.
Pasi u vërtetua ne dritën e diellit se Partia Socialiste i kishte grabitur një mandat Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, nëpërmjet vjedhjes së votave, Edi Rama u tërhoq sot nga kërkesa për rivotim në këtë qark.
Akti i sotëm është një tjetër dëshmi e kompleksimit të Ramës nga kapja në flagrancë e votave të vjedhura të 23 qershorit.
Tërheqja e tij fakton më së miri se ai i trembet përballjes me vullnetin real të zgjedhësve në qarkun e Lezhës të paintimiduar nga paratë dhe presionet e krimit dhe trafikut.
Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi vullnetin.
Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ për të cilat nuk u distancua asnjëherë duke faktuar se është bërë një me falangat që projektuan këtë akt të pashoq.
Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë shqiptarëve që u përdhosi procesin zgjedhor dhe diskreditoi para botës mbarë procesin dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët.
Tërheqja nga rivotimi në Qarkun e Lezhës që pason tërheqjen nga kërkesa për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave në Qarkun Shkodër, dëshmoi se kryesocialisti Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur mandatet e siguruara me vota të vjedhura dhe paratë e krimit më 23 qershor, tha Bylykbashi.
Sipas tij, kjo tërheqje dëshmon qartë mungesën e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sot, kur vjedhja ka dalë në dritë, ai nxiton ta mbulojë atë me pretendimin absurd se po vepron në interes të vendit.
Sot është e qartë për çdo shqiptar e vërteta e hidhur mbi të cilën u ndërtua mazhoranca e mashtrimit dhe e votave të vjedhura.
Partia Demokratike mbetet e vendosur si kurrë më parë të ndjekë deri në fund dhe përkundër çdo presioni anti-institucional rrugën e transparencës së plotë të asaj çka ndodhi më 23 qershor në Lezhë, Shkodër e kudo tjetër.
Ky është një detyrim madhor ndaj lirisë, dinjitetit dhe votës së lirë të çdo qytetari shqiptar, përfundoi Bylykbashi. /b.l