Një vërejtje shkencore për strukturën e qeverisjes së re
Kur e dëgjova në fillim strukturën e qeverisë së re që përmbledh filozofinë e qeverisjes, më tërhoqi vëmendjen mungesa e fjalës « shkenc렻 dhe gjithë familja e fjalëve që bëjnë pjesë aty. E lexova pastaj me vëmënedje fjalën e kryeministrit të ardhshëm, z. Edi Rama, dhe vura re se, në të gjithë tekstin e tij, mungonte kjo familje fjalësh. Aty gjendet fjala « inovacion ». Edi Rama thotë : « Plus, do të kemi jo ministri, por një ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike. Administrata publike nga një xhep fallco në ministrinë e brendshme rikthehet në kryeministri dhe hyn në kompetencën e një ministri që të mbulojë inovacionin dhe administratën publike në funksion të një projekti madhor që është ai i bazës kombëtare të burimeve njerëzore të këtij kombi »(Tema 24 korrik 2013).
Siç duket, ministria që do të krijohet ka për detyrë që, duke shfrytëzuar teknologjitë moderne të informatimit, të bëjë të mundur që të dalin në pah të gjitha potencialet e shqiptarëve të aftë për punë dhe të talentuar gjithashtu, në mënyrë që shteti shqiptar të ketë më në fund një inventar të plotë të shqiptarëve që janë në moshë pune dhe të specializimit të tyre po ashtu.
Ky është një prioiritet i qëlluar dhe i domosdoshëm, sepse në këta njëzetë vjet tranzicion jo vetëm që shqiptarët janë shpërndarë si « zogjtë e korbit », por ata nuk e dinë ende se çfarë është atdheu për ta dhe çfarë janë ata për atdheun. Ndërkaq, siç e përmenda në fillim, në tekstin e shqiptuar nga kryeministri i ardhëshëm, z. Edi Rama, mungon familja e shenjës « shkenc렻. Në paragrafin për Ministrinë e Arsimit thuhet vetëm një radhë : « Bashkojmë arsimin me sportin në një Ministri të Arsimit dhe të Sportit. » Natyrisht, sporti, nga të gjitha anët që ta vështrosh, është një sipërmarrje që kërkon vëmënedje të plotë dhe të shumanshme. Këtu nuk është vendi që ta trajtoj këtë prioritet, sepse ajo që më shqetëson është se nuk ka asnjë referencë për një rrjet institucionesh shkencore që veprojnë në Shqipëri. Ministria e Arsimit sot quhet Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sipas kryeministrit të ardhshëm ajo do të quhet Ministria e Arsmit dhe e Sportit. Unë uroj që kjo të mos jetë e qëllimshme, sepse po të fshihej kështu edhe një pjesë e rëndësishme e jetës akademike shqiptare, atëhere problemi do të bëhej serioz.
Në Shqipëri qysh në kohë të pushtimit italian, përkatësisht në vitin 1940, është krijuar Instituti i Studimeve Shqiptare, i cili u reformua në vitin 1944 prej Pater Anton Arapit dhe u riformatua përsëri prej komunistëve në vitin 1946 për tu shndërruar më pas në Akademinë e Shkencave. Gjatë kohës së komunizmit u ngritën edhe një rrjet i tërë institcionesh, të cilat bashkë me Akademinë u shkërmoqën dhe u shpartalluan prej vizionit inatçor të Sali Berishës. Sot reforma e nisur prej qeverisë së rrënimit shkencor u harrua dhe ato institucione nuk dihet se çfarë fati kanë. Ndërkaq, në qoftë se do të duhet të bëjmë një reformë të thellë në përmbajtjen e arsmit shqiptar, fjala vjen, këto institucione kanë një rol të dorës së parë për të bërë ekspertizën dhe për të hartuar strategjitë kombëtare dhe europiane të të nxënit dhe për të përcaktuar programet dhe për të asistuar tekstet. Tekstet e shkollave janë shkatërrimi më spektakolar që prodhoi reforma e qeverisjes së rrënimit shkencor. Ndërkaq, pa hequr asnjë presje nga rëndësia që ka sporti, unë mendoj se përqëndrimi edhe te shkenca ka një rëndësi të veçantë. Jashtë Shqipërisë gjenden shumë shqiptarë të rinj të talentuar, të cilët mund të joshen e të vijnë në këtë vend në qoftë se vihet në punë rrjeti i institucioneve shkencore. Një anë tjetër mund të ishte edhe media, e cila nuk përmendet fare po ashtu. Televizioni publik Shqiptar duhet të transformohet dhe qeveria duhet të marrë përgjegjësi direkte për të. Ai mund të shndërrohet në një hapësirë të shkëlqyer për të rinjtë që mbarojnë artet dhe gazetarinë, për filmin dhe dramën. Ayt mund të nisin prodhimet e vogla të filmave që sot realizohen me shumë pak mjete financiare.
Televizioni Publik mund të transformohet në një treg të madh pune për të rinjtë e talentuar shqiptarë. Por, për këtë, duhet vizion dhe për këtë duhet që qeveria të marrë përgjegjësi direkte. Fjala vjen, në Këshillin Drejtues të këtij Institucioni, duhet të jetë një përfaqësues i ministrisë së financave, madje ai duhet të jetë edhe kryetari i këtij organizmi, në mënyrë që të kontrollojë financat dhe të nxisë mirëmenaxhimin. Politika editoriale mund të kontrollohet nga Komisioni Parlamentar i medias siç ndodh në shumë vende. Pra një këshill drejtues me pak anëtarë dhe me pqrfaqësuesin e financave aty. Ndoshta këto dy prioritete që unë nuk i lexova në strukturën e qeverisë së re, janë mbajtur parasysh dhe mund të shpallen në një formë më të detajuar , në një rast tjetër.
