E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ PS: Presidenca dhe Kuvendi, institucione në shërbim të partisë familjare të Berishës (VIDEO)

haritoPartia Socialiste, në kuadër të nismës 100 arsye për mos të votuar Sali Berishën, e ka akuzuar atë se ka shkatërruar institucionet shtetërore, duke i kthyer në shërbim të pushtetit personal. Sipas Milena Haritos, shembull më i qartë për këtë janë Presidenca dhe Kuvendi.

Sali Berisha dhunoi institucionet publike duke dhunuar në thelb demokracinë. Gjuha e dialogut, gjuha e ekuilibrave institucionalë është një gjuhë që as ai as skuadra e tij nuk e njohin. Shqipëria nën pushtetin e Sali Berishës, është Shqipëria e çdemokratizimit, e instalimit të një modeli politik që në thelb ka dhunimin e vullnetit popullor, shpërdorimin e parave publike, promovimin e militantit dhe rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë. Nën regjimin e tij 8 vjeçar rrënoi dhe ato institucione demokratike që ishin ndërtuar duke shkatërruar ekuilibrat institucionale të vendosur. Pas 8 vitesh rrënimi të vendit, shqiptarët janë dëshmitarë të një force politike e cila ka tradhtuar vullnetin e mbështetësve të saj duke u shndërruar në një parti familjare që ka privatizuar shtetin. Kuvendi është tashmë një organ ratifikues i vendimeve autokratike të qeverisë dhe asfiksues ndaj opozitës, një organ që legjitimon rrënimin e institucioneve kushtetuese, shkatërron dialogun dhe konsensusin politik. Presidenti i Republikës është në të vërtetë presidenti i partisë familjare. Si i tillë u zgjodh dhe si ti tillë po vepron. Sot shqiptarët janë dëshmitarë të faktit që kjo presidencë e politizuar ka në duar frerët e sistemit të drejtësisë dhe udhëheq organin më të lartë të këtij sistemi, KLD-në, sipas linjave politike të partisë familjare. SHISH-i është tashmë në kontroll të drejtpërdrejt të mazhorancës, sepse po ky president i ka vënë në krye një shërbëtor të Sali Berishës, tha Harito gjatë një deklarate për shtyp.

Ajo tha se PS do të ndërtojë institucione demokratike, duke vendosur një kufi të qartë midis shtetit dhe pushtetit, kur të vijë në pushtet pas 23 qershorit.

Partia Socialiste angazhohet të ndërtojë institucione të vërteta demokratike, të bazuara në një kulturë demokratike. Ne do ta kthejmë Kuvendin, nga një institucion ku ratifikohen vendimet autokratike të qeverisë, në qendrën e gravitetit politik e vendimmarrës për Shqipërinë, si ushtrues i sovranitetit të popullit. Ne do të fuqizojmë institucionet kushtetuese duke vendosur një kufi të qartë e të pakapërcyeshëm mes shtetit dhe pushtetit, u shpreh ajo./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›