TemA TV/ Patozi: Edhe në vrimë të miut të futen ata që vunë tritol në pallatin e Kollozit, do i gjejmë (VIDEO)
Kreu i listës së kandidatëve të PD-së për qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, ka reaguar për vendosjen e një sasie tritoli në pallatin ku banon Ardian Kollozi, kandidat i PD-së për deputet në këtë qark.
Patozi ka thënë se autorët e këtij akti, edhe në vrimë të miut të futen, do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë (sa mirë do të ishte që shteti të reagonte në këtë mënyrë edhe për sulmet kundër opozitës, duke nisur nga autorët e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi).
Më tej, duke nënkuptuar se ky akt është kryer nga eksponentë të PS-së, Patozi ka thënë se vlonjatët duhet të distancohen nga alternativa e tritolit. Ai ka thënë se ky akt ka pasur si qëllim që ulë entuziazmin e fushatës së PD-së. Sipas Patozit, me këtë akt në fakt do të ndodhë e kundërta.
Ndërkohë, për këtë shpërthim ka reaguar edhe PS e Vlorës, e cila është distancuar nga akti, pas akuzave të PD-së në drejtim të saj.
Përmes medias mësuam për aktin e hedhjes së një sasie lënde plasëse në banesën e bashkëqytetarit tonë dhe Kryetarit të PD, Dega Vlorë, njëkohësisht kandidat për deputet i PD në Qarkun e Vlorë, z.Ardian Kollozi. Partia Socialiste dhe kandidatët e saj distancohen prerë dhe e konsiderojnë këtë veprim një akt vandal dhe të papërgjegjshëm, dhe pavarësisht çdo lloj motivi, të papranueshëm për shoqërinë tonë, për më tepër në këtë klimë zgjedhore. Partia Socialiste Bashkia Vlorë, me këtë rast, kërkon nga organet kompetente shtetërore dhe i nxit ato për zbardhjen sa më shpejt të motiveve dhe autorëve të kësaj ngjarjeje dhe vënien e tyre para drejtësisë. Këto akte dhune, që cenojnë, jo thjesht rendin dhe qetësinë publike, por mbi të gjitha rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, qëndrojnë në antitezë të plotë të vlerave të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës dhe për këtë dënohen me forcë nga opinioni qytetar i Vlorës. Partia Socialiste Bashkia Vlorë gjithashtu distancohet nga deklarata e PD Dega Vlorë dhe i bën thirrje drejtuesve të saj të mos e politizojnë situatën dhe të lënë organet kompetente të shprehen në lidhje me aktin, qëllimin dhe autorët e tij. Partia Socialiste Bashkia Vlorë, është e vendosur në qëndrimin e saj për të dënuar çdo akt që do të cenonte këtë frymë mirëkuptimi e tolerance dhe dënimin me forcë të autorëve të këtij akti të paprecedent, thuhet në reagimin e PS-së së Vlorës./b.l