E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Dhuna ndaj Hoxhës, Topi: Koha e krimit politik ka mbaruar, bashkë me atë që e ka ushqyer dhe e mban (VIDEO)

topiKreu i FRD-së, Bamir Topi, ka denoncuar gjatë një konference për shtyp aktin kriminal në Roskovec, ku është dhunuar brutalisht kandidati i FRD për deputet dhe kryetari lokal, Mithat Hoxha.

Si ish- president dhe politikan i përgjegjshëm nuk kam prirje të akuzoj asnjë forcë politike për këtë akt të rëndë, sepse ajo që ka shumë rëndësi është roli i institucionit të shtetit, por kam të gjithë të drejtën ti kërkoj partisë në pushtet ta dënojë atë dhe të distancohet menjëherë nga çdo zyrtar apo familjar i tyre, autorë të dhunës.

Ngjarja kriminale bëhet më e rëndë kur mësojmë se Policia e Shtetit ende nuk ka bërë asnjë hap hetimi dhe arrestimi për autorët e krimit.

Ky është një zhvillim shqetësues, një mesazh negativ në fushatën elektorale dhe një tregues se krimi politik me suport shtetëror po tenton të inkriminojë zgjedhjet parlamentare, ka thënë Topi.

Sipas tij, autorët përgjegjës duhet të përballen menjëherë me ligjin dhe Policia e Shtetit duhet të marrë përsipër detyrën kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë dhe për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe të kandidatëve, pavarësisht cilës force i përkasin.

Duke uruar shërim të shpejtë për zotin Hoxha dhe duke i qëndruar pranë familjes së tij, FRD deklaron publikisht se asnjë akt kriminal, asnjë kërcënim dhe asnjë shantazh nuk na ndalon në përpjekjet tona për të rikthyer standardet e shtetit të drejtës dhe demokracisë në Shqipëri.

Koha e krimit politik ka mbaruar bashkë me atë që e ka ushqyer dhe e mban akoma gjallë, tha Topi.

I drejtohem drejtpërdrejt atij që e ka për detyrë, sipas ligjit dhe Kushtetutës, të garantojë proces të lirë dhe të ndershëm, që përpara se të japë premtime për 4 vjetët e ardhshëm, të garantojë identitetin dhe integritetin. Ne nuk e fokusojmë vëmendjen tek pushteti, por tek shteti, që është për të gjithë qytetarët.

Ky pushtet që vepron me falanga të tilla, ti vërë gishtin kokës se jemi në një situatë që nuk i nderon institucionet e Shqipërisë, por na vë një njollë të zezë përpara ndërkombëtarëve, përfundoi Topi./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›