TemA TV/ Programi i ri qeverisës, brenda 10 ditësh draft i përbashkët PS-LSI (VIDEO)
Dy krerët e grupit të punës për hartimin e programit të qeverisë së majtë për 300 ditët e para, Ilir Beqja nga PS dhe Edmond Haxhinasto nga LSI, janë takuar gjatë ditës së sotme me ambasadorët e BE-së.
Gjatë një deklarate për mediat, Haxhinasto tha se brenda 10 ditëve do të jetë i gatshëm drafti paraprak i programit të përbashkët PS-LSI.
“U vlerësua fakti që në programin tonë kemi një referencë të vazhdueshme përsa i takon detyrimeve për procesin e integrimit të vendit, për paketën e detyrimeve ose të detyrimeve që duhet të ndërmarrim sa i takon këtij procesi, gjithashtu u vlerësua shumë edhe përqasja që ne kemi, sa i takon angazhimit të opozitës në proceset politike që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit dhe me integrimin e vendit dhe sigurisht gatishmëria jonë për të angazhuar sa më shumë opozitën në të gjithë proceset e ardhshme, që do të kërkojë ky proces integrimi”, tha Haxhinasto pas takimit me ambasadorët.
Ndërsa Ilir Beqja u shpreh se, “ambasadorët ishin shumë të interesuar për shtetin e së drejtës, për luftën kundër korrupsionit, për një sistem drejtësie të pavarur, pra për vlerat themelore të Bashkimit Europian. Ambasadorët ishin të interesuar për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve respektive me Shqipërinë dhe ishin shumë të interesuar për klimën e biznesit, për domosdoshmërinë e një sistemi të qëndrueshëm fiskal”./b.l