TemA TV/ Rama: Berisha, turist i sapozbritur në Shqipëri. Romakët ndërtuan amfiteatër në Durrës, Saliu pikë hyrje për plehrat (VIDEO)
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka qenë i pranishëm gjatë në qytetin e Durrësit, ku ka prezantuar programin e Rilindjes. Ai ka thënë se kryeministri Berisha sillet si një turist i sapozbritur në Shqipëri dhe nuk e njeh realitetin.
Dje në konventën e tyre u thanë disa gjëra shumë interesante, se në fakt me partinë familjare me në krye Saliun, fshati s`ka asnjë shans të dalë nga rrënimi. U tha se janë shpenzuar 5 milionë dollarë, që i bie 22 dollarë për familje dhe 1 litër naftë në muaj. U tha një gjë tjetër, se tashmë partia e kryeministrit të vetmuar nuk ka një program, edhe pas kopjimit të programit tonë. Dhamë projektin për heqjen e TVSH, u rrëzua në parlament, doli në treg si ide pasi u mor nga program ynë dhe vetëm dje u tha se biznesi ka problem me heqjen e TVSH për makineritë. Në shtator 2009, Saliu tha se në 2013 fshatrat e vendit do të llamburisin njëlloj si në lagjet e çdo qyteti. Kanë kaluar katër vjet nga premtimi dhe bëhet sërish i njëjti premtim. Berisha po shfaqet si një turist nëpër Shqipëri, që po njeh më në fund vendin që ka qeverisur për 8 vjet me radhë. Le ti lëmë në rrugën e tyre të vetmisë së madhe, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Ai ka akuzuar Berishën për shkatërrimin e Durrësit. Sipas Ramës, romakët ndërtuan një amfiteatër në Durrës, ndërkohë që Berisha sillet më keq se pushtuesit, duke ndërtuar një pikë hyrje për plehrat.
Sot jemi të vetëdijshëm se Durrësi bashkë më Krujën janë 2 pika shumë të forta strategjike për të filluar rrugën e Rilindjes. Romakët ndërtuan në Durrës amfiteatrin më të madh jashtë Romës, ndërsa qeveria e Saliut e bëri Durrësin pikë hyrje për plehrat që vijnë nga Europa. Ne do ta kthejmë Durrësin në një kantier të një transformimi historik.
Sikur amfiteatrin e Durrësit ta kishin serbët, do e kishin kthyer në arsye më shumë për veten, vend pelegrinazhi për të treguar se çfarë qytetërimesh kanë kapluar vendin tonë. Kushedi se çfarë legjendash më shumë do kishin prodhuar, po të kishin kështjellën e Skënderbeut, heroit më të madh në Europë. Ne i kemi lënë nën pluhurin e një pluhuri e barbari që do marrë fund më 23 qershori, tha Rama./b.l