E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Rama: Do dalin para ligjit zyrtarët që bëjnë presion për fushatë ndaj rrogëtarëve. Sdo njohim gjobat e fushatës (VIDEO)

rama elbasanKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi ekipin e kandidatëve për qarkun e Elbasanit, në një miting madhështor.

Në fjalën e tij, kryetari i PS tha se askush nuk do e kishte besuar 22 vite më parë se 22 vjet më vonë Elbasani do ishte kryeqyteti i papunësisë.

Është zhytur në borxhe Shqipëria. Është zhytur në borxhe çdo familje e zakonshme e këtij vendi që do të jetojë me punë të ndershme, tha Rama, duke premtuar se për katër vitet e ardhshme do hapen 300 mijë vende të reja pune.

Ne jemi angazhuar që ta bëjmë 4 vjeçarin e ardhshëm katërvjeçarin e frymëmarrjes lirë për të gjithë ata që marrin frymë duke jetuar me punë të ndershme duke filluar nga heqja e taksës së biznesit të vogël. Duke vazhduar me uljen drastike të tatimfitimit për biznesin e vogël dhe duke shkuar më tutje me vendosjen e një sistemi të taksimit të ndershëm për të gjithë ata që jetojnë me punë të ndershme në mënyrë që kush fiton më pak të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë të paguajë më shumë.

Rama deklaroi se taksimi i Partisë Socialiste do bëjë që mësuesit, policët, infermierët të përfitojnë më shumë se një rrogë shtesë.

Në 23 qershor ju me votën tuaj do ti jepni fund një epoke të turpshme kur pastruesja e kryeministrisë paguan më shumë taksa se kryeministri, kur mësuesja e fillores paguan më shumë taksa se ministri i arsimit, kur infermierja paguan më shumë taksa se ministri i shëndetësisë, apo kur polici i thjeshtë, që rri në shi dhe në breshër për një rrogë minimale, paguan më shumë taksa se ministri i brendshëm. Kjo do të marrë fund në 23 qershor, tha Rama.

Por kryetari i PS u kërkoi të gjithë atyre buxhetorëve, të cilëve iu bëhet presion që të dalin në mitingje, që të mos përulen. Ai u zotua se të gjithë këta zyrtarë që bëjnë presione, do dalin para ligjit.

Edhe dy fjalë për presionet, që po rriten mbi të gjithë ata që shteti duhet ti respektonte si shërbëtorë të popullit, por që pushteti i trajton si skllevër duke i kërcënuar në bukën e gojës. Mbi të gjithë mësuesit, mbi të gjithë personelet e spitaleve, mbi të gjithë rrogëtarët e shtetit, kudo ku janë, po bëhet një presion kriminal për ti detyruar që ti bashkohen fushatës së Partisë Familjare të kryeministrit dhe për ti dhunuar psikologjikisht me qëllim që tu marrin votën.

Ne u themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës, por mos u përulni! Ndërkohë zotohemi publikisht se çdo drejtor shkolle, çdo drejtor spitali, çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është i angazhuar apo do të angazhohet për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, mbas 23 qershorit do të dali përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale, tha Rama.

Kreu i PS tha se nuk do njihet asnjë gjobë që është vendosur deri në katër muaj para zgjedhjeve.

Ashtu sikundër po shtohen presionet ndaj administratës, ashtu po shtohet edhe vala e gjobave ndaj njerëzve të këtij vendi, që në 23 qershor do të shkojnë në votime. Gjoba për fshatarët që jetojnë me drutë e pyllit deri tek gjobat për biznesmenët e vegjël dhe për sipërmarrësit e mëdhenj. Ne zotohemi se nuk do të njohim asnjë gjobë që është vendosur në 4 muajt e fundit përpara 23 qershorit. Madje, çdo njëri që ka marrë një gjobë që nga fillimi i muajit mars duhet ta mbajë atë me krenari si një certifikatë në betejën me këtë regjim të korruptuar, që qëndron lidhur pas pushtetit dhe në mënyrën më të pashpresë mundohet të kapet pas këtyre formave si i mbyturi pas fijes së barit. Historia e kësaj keqqeverisjeje po mbaron. Një histori e re po fillon. Një histori e re që këtu në Elbasan do të fillojë me këtë skuadër përfaqësuesish të denjë të Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, tha Rama./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›