TemA TV/ Rama: Ka një nivel të lartë aprovimi për qeverinë e re, por kujdes me punësimet e njerëzve (VIDEO)
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari dhe kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, përsëriti se vota masive për koalicionin e majtë do të thotë se ata duhet ti japin fund praktikave të shpërdorimit të pushtetit.
Secili prej nesh lypset ta meritojë përditë mandatin e vet parlamentar ose qeverisës, pa harruar asnjë zotim të dhënë para popullit; Pa harruar asnjë plagë e dhimbje të ndeshur mes njerëzve në rrugëtimin e mundimshëm të fitores; Pa harruar asnjë sjellje të shëmtuar dhe veprim të gabuar të humbësve të 23 qershorit, për të mos i përsëritur kurrsesi në emër të shumicës së re. Ndëshkimi popullor i 23 qershorit për ato sjellje vulgare e veprime brutale, ishte njëherësh urdhri i popullit sovran për ne: Mos bëni si këta nëse nuk doni të ndëshkoheni edhe më keq se këta!
Ky është një urdhër që nuk diskutohet, por vetëm zbatohet. E, ky grup duhet të vigjilojë që askush të mos e thyejë këtë urdhër, po gjithkush ta zbatojë me besnikëri shembullore ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, tha Rama.
Kryeministri i ardhshëm tha se ka një nivel të lartë aprovimi për qeverinë e re.
Jam përkohësisht i lehtësuar që publikimi i skuadrës sonë të re qeveritare, nuk e cenoi pritshmërinë e lartë. Kemi një skuadër që u formua duke lexuar me kujdesin më të madh shkaqet e revolucionit të votës së 23 qershorit dhe ekzigjencat ndaj nesh të atyre 1 milionë shqiptarëve, të cilët e bënë atë revolucion jo për të ndërruar qeverinë, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Por, mirëpritja që opinioni publik i ka rezervuar qeverisë së re, – sondazhet tona flasin për një nivel aprovimi në kufirin 70%- ia lë vendin, ditë për ditë dhe, ditën e hënë plotësisht gjykimit të opinionit për ne në përballjen tonë me krizën e rëndë të vlerave morale, shoqërore dhe ekonomike që e ka dërrmuar vendin si ska më keq.
Këtë provë sfilitëse ne duhet ta kapërcejmë me sukses çdo ditë të mandatit tonë 4 vjeçar, sepse çdo ditë do të jemi në provë, edhe si qeveri, edhe si shumicë e re kuvendore. Edhe si ministra, edhe si deputetë. Do të jemi në provë në qeverisjen e vendit, por do të jemi po ashtu specifikisht në provë për sjelljen ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, tha Rama.
Më pas Rama foli për çështjen e punësimit të njerëzve në administratë.
Pritshmëria e lartë shoqërohet kudo me një ndjenjë padurimi krejt legjitim. Njerëzit janë sfilitur në rrugën e vjetër të padrejtësive. Janë të lodhur nga papunësia e të dëshpëruar nga varfëria. Vuajnë mungesën shumëvjeçare të përfilljes më minimale mes miliona hallesh anembanë Shqipërisë. Ne smund tua zgjidhim problemet sa hap e mbyll sytë, por mundemi ama sa hap e mbyll sytë tu gjendemi pranë dhe të mos bëhemi problemi i tyre i ri. Duhet tu jemi pranë rregullisht, për të vazhduar ti dëgjojmë me të njëjtin durim si deri para disa muajsh kur kërkonim votën e tyre. Për tu dhënë përgjigje kërkesave e ankesave të tyre. Për të siguruar që qeverisja jonë nuk do të shkëputet nga realiteti i tyre dhe që ata nuk do të mbeten të painformuar për realitetin e qeverisjes. Unë e di që ju të gjithë, njësoj si dhe unë, jeni nën presionin e njerëzve në kërkim të një pune, apo të një të drejte të mohuar me vite, apo të një mbështetjeje të munguar shumë gjatë. Ky presion, natyrshëm, do të vijë duke u rritur dhe duke u rritur duhet të vijë dhe përkujdesja jonë për të administruar me përkushtim dhe qetësi presionin për punësim, të drejta, liri e zgjidhje që njerëzve u janë mohuar prej vitesh.
Në librin e trashë të marrëzive dhe të gabimeve të pushtetit të kundërshtarëve tanë, nxin kapitulli i dhunës psikologjike ndaj administratës dhe çdokujt që ata e gjetën në punë kur filluan të qeverisin. Nxijnë krimet e flakjes pa asnjë motiv nga puna të mijëra profesionistëve e specialistëve, po edhe punonjësve më të thjeshtë të shërbimeve, që u zëvendësuan me të tjerë të cilët rëndom, nuk plotësonin asnjë kriter tjetër veç verbërisë politike. Nxijnë faqet e maskaradës së një korrupsioni që u katandis në degradimin e fundëm të shitblerjes së vendeve të punës. Ne sduhet dhe sdo ta nxijmë librin e qeverisjes sonë me padrejtësira të kësaj natyre të ulët jo vetëm politikisht, por edhe njerëzisht.
Por ne nuk do të rijmë as duarkryq. Jemi të vendosur të mbjellim në këtë vend kulturën e konkurrencës e të meritës dhe do ta bëjmë këtë hap pas hapi. Pa i rënë në qafë padrejtësisht askujt, as edhe një njeriu të vetëm, që sot shërben me profesionalizëm në administratën e shtetit, por pa u lënë shqiptarëve në qafë askënd, as edhe një njeri të vetëm që është paguar deri më sot jo për shërbimin ndaj shtetit të tyre, por besnikërinë ndaj pushtetit që rrënoi Shqipërinë dhe rrënoi ekonominë e jetën e tyre. Shteti është i qytetarëve jo i partive në pushtet dhe ska asnjë dyshim se nuk mund të vazhdojë të jetë i partisë që deri dje ishte në pushtet, e cila ka bërë në këtë vend emërimet më të padrejta po edhe më qesharake në historinë e Shqipërisë – në dëm të Shqipërisë./ep