TemA TV/ Rama hap fushatën për Tiranën, premton legalizim, çlirim të biznesit të vogël dhe luftë ndaj krimit (VIDEO)
Partia Socialiste hapi fushatën elektorale në qarkun e Tiranës në një miting entuziast në pallatin e sportit Asllan Rusi.
Të gjithë kandidatët e kësaj partie kanë folur përpara të pranishmëve, ndërsa kanë shkaktuar entuziazëm sidomos fjalimet e Blendi Nallbanit, Sajmir Tahirit dhe Rakip Sulit.
Më pas ka folur kryesuesi i listës së qarkut të Tiranës, Pandeli Majko, i cili thirri në skenë kryetarin e PS, Edi Rama, duke e prezantuar si kryeministrin e ardhshëm të shqiptarëve.
Ky është takimi më entuziast që unë kam parë në Tiranë. Ju sot e keni bërë Pallatin e Sportit zemrën e Partisë Socialiste. Ju sot, nga ky pallat sporti po shpërndani në gjithë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë fuqinë e jashtëzakonshme të energjisë pozitive të Rilindjes shqiptare, tha Rama.
Dhe menjëherë Rama e ka nisur duke bërë premtimin e parë për të gjithë ata që kanë ndërtuar, por që nuk e kanë akoma të tyren pronën, duke thënë se duke vënë një kryq tek numri 29 në fletën e votimit më 23 qershor, ata do e kenë të tyren pronën përjetësisht.
Rama tha se njerëzit kanë ardhur nga të gjitha rrethet për të ndërtuar në Tiranë një Amerikë të vogël.
Ata kanë ndërtuar mijëra shtëpi me sakrificat e tyre. Ato shtëpi prej 22 vitesh presin shtetin e shqiptarëve që ti kthejë në pasuri të patundshme të çdo shqiptari në Kamzë, Paskuqan, Laprakë, në Kodrën e Priftit, Allias, Kombinat, Bregun e Lumit, në Sauk e në Selitë, tha Rama, duke premtuar legalizimin e menjëhershëm të banesave.
Më pas Rama bëri premtimin e dytë kryesor, atë për heqjen e taksave për biznesin e vogël. Në një vend ku një në dy persona shet diçka në rrugë apo dyqan, një premtim i tillë u prit me entuziazëm.
Shumë shqiptarë këtu në Amerikën e vogël të shqiptarëve ecën përpara me biznesin deri kur u gjendën përballë presionit të papërmbajtur të mallkimit të tyre dhe të gjithë shtresës së mesme, që duhet taksa e sheshtë. Ajo taksë po ia merr të gjithë frymën biznesit të vogël në Tiranë dhe në Shqipëri.
Dua tu them të gjithë tiranasve, të gjithë atyre që punojnë e jetojnë me një ushqimore, me një furrë buke, me një rrobaqepësi të vogël, me gjithçka që u jep mundësi të ushqejnë familjen e tyre, se më 23 qershor, duke marrë një copë letër në dorë, fletën e votimit dhe duke vënë vetëm një kryq tek numri 29, do ta heqin taksën e biznesit, tha Rama.
Rama premtoi gjithashtu se asnjë buxhetor nuk do merret peng për arsye politike pas 23 qershorit.
Me një kryq tek numri 29, çdo nxënës, student, mësues e pedagog, por edhe prindër, do ia shkëputin nga kthetrat pushtetit lirinë që i duhet çdokujt. Pas 23 qershorit asnjë rrogëtar i këtij shteti nuk do i nënshtrohet tekave të cilitdo pushteti, tha Rama.
Kreu i PS tha se në vitin 2011, Tiranën ua vodhën, por por në 2013-ën Tirana do votojë me një votë masive ndryshimin e Rilindjen.
Në fund Rama ka bërë një premtim për atë që është bërë plaga më e rëndë e shoqërisë në këto kohë, krimin, sidomos krimin e vogël, që po prek jetën e çdo shqiptari.
Kam dy fjalë për atë që është bërë plaga më e rëndë e shoqërisë sonë, që lëndon zemra familjesh dhe shoqëri të tëra, që është kriminaliteti. Janë dyfishuar vjedhjet në banesa, janë trefishuar grabitjet në rrugë dhe janë katërfishuar vrasjet dhe plagosjet dhe unë zotohem se për 300 ditë do rikthej një Polici Shteti në krye të detyrës. Do e bëjmë rendin dhe sigurinë një shembull, për të cilin çdo shqiptar do ndjehet i sigurt për veten, familjen dhe pronën e tij. Kush do guxojë të prekë vajzën, babain, nënën apo cilindo familjar, ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit. Kush do guxojë të prekë pronën e familjes shqiptare, ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit, tha Rama./ep