TemA TV/ Rama, miting entuziast në Kukës: Flamuri pa bisht të mos fusë thikën e ndasive (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli në një miting entuziast në Kukës, ku sheshi ishte mbushur si rrallë ndonjëherë.
Rama foli përpara kuksianëve për ndasitë që po tenton të fusë mazhoranca mes shqiptarëve, duke paralajmëruar se një gjë të tillë e bëjnë vetëm armiqtë e vendit.
Duke e etiketuar Flamur Nokën si Flamur pa bisht, Rama tha se një burrë i tillë qesharak nuk u bën nder kuksianëve dhe as uniformave blu.
Sot, shkon dhe vjen lart e poshtë një personazh komik që nuk është tek Portokallia, por në krye të Ministrisë së Brendshme, një Flamur pa bisht që tundet dhe shkundet nëpër Kukës, Tropojë dhe Has duke treguar përrallat e katragjyshit me antiplumb. Një burrë qesharak që nuk i bën nder kuksianëve, tropojanëve dhe hasianëve, nuk i bën nder uniformave blu të këtij vendi janë katandisur ashtu siç janë katandisur pasi kanë mbetur në dorën e katragjyshit me antiplumb që dreqi e di pse ka kaq frikë kur takon popullin e vet, tha Rama.
Flamuri pa bisht vjen këtu vërdallë e fut më thellë thikën e ndasisë. Por ne nuk jemi këtu për të ndarë, por për të bashkuar. Ndaj i them atij: Mos guxo më të rrotullosh thikën e ndasisë ndërmjet shqiptarëve, sepse këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë! vijoi kryetari i PS.
Rama tha se Partia Socialiste nuk ka si synim që të ndezë konfliktet, por dashurinë për njëri- tjetrin.
Kur isha këtu në Kukës, u ndala në familjen e varfër e të ndershme të një djali të Kukësit, punonjësit të rendit të vrarë, Shkëlzen Dobrushës, që kjo qeveri ia mbylli derën dhe nuk denjon as ta dëgjojë për të njohur kontributin e policit të vrarë. E ndryshe nga çndodh me Flamurin pa bisht, unë i dua të gjithë njerëzit e ndershëm dhe punëtorë, i dua kuksianët, tropojanët, hasianët, i dua të gjithë me vepra, që do tua tregojmë pas 23 qershorit. E do ta fillojmë duke vënë në vend dinjitetin e atij polici të vrarë dhe të gjithë atyre që u janë vrarë fëmijët në krye të detyrës.
Çfarë është ky sharlatan që vjen vërdallë duke thënë se Edi Rama nuk e do Kukësin?! Çfarë ka bërë ky me katragjyshin me antiplumb?! Ku janë rrugët në Kukës dhe Tropojë, që as kanë ekzistuar, jo të kenë përfunduar?! Ku janë kanalet kulluese që i japin ujë fushave tuaja?! Ne nuk jemi për të ushqyer urrejtjen, por shpirtin e solidaritetit, dashurinë për njeri- tjetrin dhe atë respekt që Kukësi nuk i ka borxh as Flamurit pa bisht; dhe as katragjyshit me antiplumb. Një goxha burrë vjen vërdallë, takon njerëz dhe fut thellë e më thellë thikën e ndasisë, tha Rama.