TemA TV/ Topi: Dalim të vetëm në zgjedhje. Shqiptarët kanë nevojë për një alternativë të tretë (VIDEO)
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi se kryesia e kësaj partie ka vendosur që ata të garojnë të vetëm në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Topi tha se vendimi ishte i pritshëm dhe synon reformimin e sistemit aktual politik.
Me këtë akt FRD bën diferencën nga praktikat dhe modelet e tjera, të cilat për interesa jo parimore kanë injoruar vullnetin dhe dëshirën e elektoratit, duke i detyruar qytetarët të zgjedhin gjithnjë midis dy alternativave gati identike. Sot shqiptarët do të kenë një alternativë të tretë, që vjen si nevojë jetike për demokraci funksionale dhe përfaqësim të shëndoshë demokratik, që ofron garanci, siguri dhe kapacitete për një qeverisje politike shumë më të mirë, më transparente, më qytetare dhe më evropiane pas zgjedhjeve të 23 qershorit, tha Bamir Topi.
Në këtë mënyrë FRD dëshmoi sot se është parti e parimeve të qëndrueshme, e cila nuk do të bëjë kompromise në kurriz të qytetarëve dhe interesit publik, se nuk udhëhiqet nga interesa afatshkurtra pushteti, por ka një program, një synim dhe një projekt afatgjatë, për shtetin dhe qytetarët.
Në kohën kur publiku shikon të krijohen aleanca pa identitet, pa program, pa afërsi morale dhe as nocione parimore, FRD shfaqet ashtu siç qytetarët duan të jetë: parti e përgjegjshme, parti e një ekipi politik me dinjitet dhe të përgjegjshëm në vendimmarrjen e tyre politike, vijoi kreu i FRD.
Kryetari i FRD tha se ata asnjëherë nuk kanë kërkuar bashkëpunim me dy partitë e mëdha.
Që në fillim ne kemi synuar aleancë vetëm me qytetarët dhe kemi ftuar çdo forcë politike që ndan parimet tona të bëhet pjesë e projektit përmes shkrirjes së strukturave dhe anëtarësisë.
Ne jemi të gëzuar që thirrjes tonë i janë përgjigjur grupe politike dhe civile me identitet të djathtë dhe moderator, pjesa më e madhe e ish të përndjekurve politikë,pronarët e ligjshëm, rinia studentore, votues për herë të parë, shtresa e mesme dhe elita intelektuale liberale e konservatore. Sot FRD është dhe mbetet shtëpia e vërtetë e qendrës dhe të djathtës së moderuar dhe qytetarëve shqiptare, tha Topi.
Sipas kreut të FRD, misioni i kësaj partie është që ti japë fund tranzicionit.
Forca jonë është fjala, morali, identiteti, ndershmëria, projekti politik dhe sovraniteti qytetar i ushtruar përmes votës së fshehtë, – forcë që nuk cenohet, përkundrazi zgjerohet përmes vendimit tonë politik për respektuar parimet ku besojmë dhe kërkesën e mijëra qytetarëve nga gjithë Shqipëria.
FRD e mbajti premtimin për të zgjedhur vlerat dhe parimet mbi çdo ofertë tjetër, gjë që garanton se edhe pas 23 qershorit është dhe mbetet parti e parimeve të qëndrueshme, tha Topi./b.l
