Topi: Pse do mblidheni të hënën për tre ligjet, mblidhuni për KQZ-në. Zgjedhjet mund të manipulohen
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilloi një takim me grupin e përfaqësuesve të OSBE/ODIHR, të kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormak.
Pas takimit, kryetari i FRD-së ritheksoi krizën në KQZ duke e cilësuar moszgjidhjen e saj një prelud të keq për ecurinë zgjedhore, ndërsa shprehu shqetësim edhe për manipulimet e mundshme.
Funksionimi i cunguar i KQZ-së vë në dyshim mbrojtjen e interesave të qytetarëve që nuk përfaqësohen në pushtet, tha Topi.
Gjithsesi kryetari i FRD-së është i bindur se askush nuk mund të ndalë fluksin e qytetarëve në tendencën e tyre natyrale drejt një fitoreje të FRD-së.
Duke përmendur 50 mijë njerëz të dubluar dhe 200 mijë të tjerë pa adresa, Topi e quajti të pakuptimtë vendimin e partive parlamentare për të miratuar të hënën tre ligjet, ndërkohë që nuk e shfrytëzojnë këtë seancë plenare edhe për zgjidhjen e çështjes së KQZ-së./ep