E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tema për të cilat Edi Rama duhet të kafshojë gjuhën

13-11-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Janë shumë të tilla. Por ne e kemi fjalën te njëra prej temave. Atë që ka të bëjë me ndërtimet në epiqendër të ministrive. Një njeri serioz nuk ia lejon vetes që të marrë nëpër gojë një person i cili, në pikëpamje të shpejtësisë së punimeve, është i shpejtë si leopardi ndaj kërmillit!
E kemi fjalën për punimet në sheshin qendror, që Edvini i përgojon, kur kishte 11 vjet në dispozicion për t’i kryer si t’ia donte e bardha zemër. Tani E. Ramës i është mbushur mendja se është shkrimtar, zeja e fundit e tij që mendon se mund të jetë e suksesshme. Ndër këto “zanate” shterpë, ai u orvat të merrej edhe me tregimin letrar; madjé me personazhe të mitur, të klasës së tetë të tetëvjeçares së dikurshme. Duke qenë të botuara në një antologji, kjo do të thotë se ua ofronte tregimin nxënësve të vegjël. Tregimi u bë i bujshëm, për ato masturbimet kolektive nëpër bunkerë; për ato fantazitë morboze të protagonistëve të vegjël, - por edhe ngelësa pak më të mëdhenj, - sikur të kishin në përfytyrim zyshën e fizkulturës, të cilën nxënësit e mitur e përmendnin me emër, teksa zdërhalleshin sikur të ishin para një akti (që s’dua t’ia përmend emrin), me mësuesen e tyre... Palé ajo vajza e vogël së cilës shoku i bankës, më i madh se ajo (se ngelej në klasë) i vinte duart në orë të mësimit, duke ditur se ajo kishte ngecur si miu në çark! - dhe s’e kishte kurajën ta bënte rezil, në orë të mësimit. 
Tani nuk duhet të nxjerrim përfundimin se një vepër pornografike komerciale, e bujshme në kuptimin se duhej të ishte absolutisht e ndaluar në një antologji, na qenka e... suksesshme! Mjafton pyetja: Cili nga prindërit do t’ia lejonte së bijës së mitur leximin e një “tregimi” të tillë, pa ia zhvatur vajzës nga dora dhe pa e hedhur antologjinë brenda sobës (në dimër?)?
Megjithatë, në panairin e librit, z. Lulzim Basha, foli në mënyrë diplomatike për librat, në përgjithësi, por edhe për E. Ramën në veçanti: “Ndërsa në vite shkrimtarët i janë drejtuar politikës, duket se ky panair po shënon për herë të parë një trend revers, atë të drejtimit të shumë politikanëve drejt librit", - tha z. Basha. Me shumë hijeshi ai e shprehu, kështu, në këtë rast, atë dashurinë e tij, për librat jopolitikë, duke mos qenë dakord me drejtimin e shumë politikanëve drejt librit...(me nënkuptimin pozitiv të mbiemrit), në domethënien   e mirë të fjalës. Kjo është “risia” e nënkuptuar prej tij. Një kuptim të kundërt ka fjala “revers”, në vlerësimin e librave dinjitozë në krahasim me ata të mëparshmit. Madje e uroi edhe Ramën për librin e tij “Kurbani”, ndonëse autori i këtij libri  nuk ka kuptuar kurrë se ç’është etika, me fjalët e  tij  të pakuptimta në fushatën e 2011-shit, Lulzim Saliu! Doktori, ndërkaq, ashtu sikundër edhe z. L. Basha, e quanin kurdoherë z. Rama! Por ky i fundit nuk ka kuptuar kurrë se kjo botë ka edhe reciprocitet: “Noblesse oblige”. Tani që po ia mësojnë se kuptimi jo i ngushtë i kësaj fjale zbërthehet që të sillesh bukur me atë që të trajton me respekt dhe ka bërë një hap përpara në ato aventurat e bllokadave (të parlamentit, apo të rrugëve), megjithatë i përcëllon goja që as tani, së paku, t’i vërë një “zoti” përpara emrit të kundërshtarit të tij politik.
***
Vijmë te ish-gërmadha e sheshit qendror. Ajo gjendje katastrofike tani ka marrë një pamje normale. Brenda pak ditësh do të marrë një pamje të bukur. Nuk do të kalojnë as pak ditë më tepër: pamja do të bëhet shumë e bukur.
Për atë shesh, që po zbukurohet dita-ditës, nuk i shkon një personi që e la në pikë të hallit për një dhjetëvjeçar, të varë buzët për rrethin qendror, duhet apo s’duhet, e të gjejë edhe disa yçkla të tjera! E bëje, zotëri! Apo ece me ritmin e sahatit qorr të kryeqytetit, që na u bë “Çështja e Orientit!”. Nëse je xheloz për  sukseset e tjetrit, mos e shfaq këtë smirë që të përnjollos. Përndryshe bën kurban emrin tënd, paçka se ia vë si titull një libri!
Kështu bëhet një libër i pabesueshëm, paçka se i bujshëm, - që është tjetër gjë!
Dhe është e pamundur që të bësh një psikozë që s’ngjit: atë të privacy-t, që duhet ta kenë vetëm shqiptarët. Kur Klintoni për një fije e shpëtoi vendin e presidentit për shkak të provokatores Monika Levinski. Kur miliarderin Khan, në krye të Fondit Monetar Europian dhe kandidat për president në Francë, e kemi parë me pranga duarsh në TV. Përse? Se një bukuroshe afro-amerikane, kameriere, e paska akuzuar për ngacmim seksual në një hotel, kur Khani mund të fuste në shtratin e tij matrimonial, krejtësisht vullnetarisht, ndonjërën nga miset rrezatuese! Kur Silvio Berluskonin e akuzonin për suaretë e tij të hareshme, (e vërtetë), por edhe për ngacmime të dhunshme (e pavërtetë). Sepse bukuroshet zinin radhën për një ftesë! Kur Mitteranit ... Kur, kur...
Tani, ne shqiptarët, nuk na u lejoka të merremi me intimitetet e një politikani të rëndësishëm, që i rreh dal vivo femrat e shquara të artit, (por edhe deputetet!) dhe del e na mban llogo për dinjitetin e grave, dhe për... respektin ndaj tyre!
Kështu kurbani bëhet bumerang! Dhe libri vjen koha që ndjek paraardhësin! Sot ka shumë kureshtarë që kërkojnë atë librin me ato paudhësitë foshnjore. Por le ta gjejnë, po mundën!
Një njeri me namuz nuk cimbis plagët e veta.
Po të ishte sërish kryetar bashkie ai që gjen kohën që të bëhet shkrimtar, do ta kishim gërmadhën gërmadhë edhe sot e kësaj dite! Se ka dhënë shembullin që di të ecë me 0,1km/orë kur z. L. Basha ecën me 100 km/orë, domethënë 1000 herë më shpejt!
Së paku, ta lërë mënjanë atë muhabetin që ka të bëjë me intensitetin e punës në bashki! Bashkia ka kohë që kërkon përkushtim, jo dylbitë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›