Kriza financiare e aftësia për të jetuar jo vetëm për hir të interesit
Kriza ekonomike, që po kalon bota, ka nxjerrë në pah vështirësitë e sistemeve perëndimore për t’i nxitur njerëzit të mos mendojnë vetëm për vete e për të fituar, por të kenë parasysh se bëjnë pjesë në një shoqëri, për zhvillimin e së cilës është i nevojshëm kontributi i të gjithëve. E ky kontribut nuk është thjesht në para, por edhe në pjesëmarrje, në ndihmën që i japim njëri-tjetrit, në impenjimin për të ndërtuar një familje të shëndoshë e kështu me radhë… të gjitha gjëra, që nuk kërkojnë vetëm fonde e investime. A thua të jetë kjo pika e mbështetjes për atë “levë të Arkimedit”, me të cilën shkencëtari i madh dëshironte të ngrinte botën? E cila është leva jonë e Arkimedit? Mbi këto argumente, reflekton, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi: “Ndërsa kriza ekonomike mundon kontinentin evropian e zgjon tensione, shqetësime e ankthe në një pjesë të mirë të botës, duke sfiduar mendjet dhe aftësitë e politikanëve e të ekonomistëve, një kontribut i vogël për të gjetur një pikëmbështetje për shpresën e përbashkët mund të vijë edhe nga fjalimi i Papës para të rinjve, mbledhur në Romë të premten e kaluar, me rastin e Vitit evropian të vullnetariatit. Benedikti XVI u tha të kujtohen se ekziston edhe “dhurata”, pra aftësia për të jetuar jo vetëm për hir të interesit, por edhe të gjithçkaje, që merret e jepet “falas”. Për këtë, Papa flet edhe në Enciklikën e tij të fundit, ku shkruan: “Tregu i dhënies falas nuk ekziston e dhurata nuk mund të përcaktohet me ligj. E megjithatë, si tregu, ashtu edhe politika, kanë nevojë për njerëz të aftë të dhurojnë reciprokisht”. E pastaj, shton: “Që të kemi drejtësi të vërtetë është e nevojshme t’i shtojmë së drejtës, dhuratën e solidaritetin”; “duhet të shkojmë përtej logjikës ‘më jep, të jap’ e përtej përfitimit, si qëllim në vetvete”. Janë të vërteta, që nuk qëndrojnë në hava, por i kanë rrënjët në përvojën më të mirë të përditshme, duke filluar nga jeta në familje. Për t’i frymëzuar të rinjtë, Papa kujton edhe fjalët e Jezusit: “Falas keni marrë e, falas jepni!” (Mt 10.8). Pra, njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por edhe nga marrëdhëniet me njerëz të lirë, që respektojnë njëri-tjetrin, që shqetësohen për të afërmin e duhen, pa shumë llogari. Prej këndej, krijohet besimi i ndërsjellë mes njerëzve dhe mes popujve. Është pikëmbështetja e nevojshme për të ngritur në këmbë botën”.
Benedikti XVI vullnetarëve katolikë evropianë: Vegla të dashurisë së Zotit për një shoqëri më njerëzore/Në ditën kur Kisha kremton Shën Martinin e Tur, model i dashurisë së krishterë për mbarë botën, Benedikti XVI priti në audiencë vullnetarët katolikë evropianë, mbledhur nga Këshilli Papnor “Cor Unum” për një takim, me rastin e Vitit evropian të vullnetariatit. Papa vuri theksin mbi identitetin e vullnetaratit katolik, i cili nuk duhet të joshet nga ideologjitë, që premtojnë se do t’ia ndryshojnë faqen botës.
Prej këndej, ripohoi vlerën e punës vullnetare, në një periudhë krize ekonomike, si kjo që po përballojmë sot. Në fillim të takimit, Papën e përshëndeti kardinali Robert Sarah, kryetar i “Cor Unum”. Në çastin aktual, çast krize e pasigurie, impenjimi juaj krijon besim, u tregon të gjithëve se e mira mund të lulëzojë edhe në kohë tejet të vështira. Këtë theksoi Papa në fjalimin, drejtuar vullnetarëve katolikë evropianë, të cilëve u shprehu, posaçërisht, mirënjohjen e thellë për misionin e tyre bamirës në botë. Prej këndej, nënvizoi se për të krishterët puna vullnetare nuk është thjesht shprehje e vullnetit të mirë: Ajo – theksoi – bazohet mbi përvojën personale të Krishtit. Ishte ai i pari, që u vu në shërbim të njerëzimit, duke dhënë lirisht jetën për të mirën e të gjithëve. Përvoja e dashurisë bujare të Zotit, shtoi, na nxit të ecim mbi të njëjtat gjurmë, në ndihmë të vëllezërve e të motrave tona. E këtë e ndjejmë më fort se kurrë në Eukaristi. Hiri i Zotit, pohoi, e larton dëshirën tonë për t’u shërbyer të tjerëve pa kurrfarë shpërblimi. Jemi të thirrur, prandaj, për t’u shërbyer të gjithëve, ashtu si u shërbeu vetë Zoti, me të njëjtën liri e bujari. Duke shërbyer kështu, bëhemi mjete të dukshme të dashurisë së tij, në një botë që ka etje të pashuar për këtë dashuri, sepse jeton në mes të varfërisë materiale e shpirtërore, në mes të vetmisë e të përbuzjes, të padijes e të braktisjes, që bëhen gjithnjë më të dukshme e më të dhimbshme rreth nesh. Natyrisht, pranoi Papa, vullnetariati katolik nuk mund t’u përgjigjet të gjitha nevojave, por kjo nuk na dëshpëron, nuk na çarmatos. Përkundrazi: Ne nuk duhet të joshemi nga ato ideologji, që duan ta ndryshojnë botën mbi bazën e një vizioni thjesht njerëzor. Ajo pak e gjë, që arrijmë të bëjmë për të lehtësuar mjerimin, theksoi Papa, mund të shikohet si farë e mirë, që do të rritet e do të japë fryte të begata. Është, shtoi Ati i Shenjtë, shenjë e pranisë së dashurisë së Krishtit. E është pikërisht kjo, i nxiti Benedikti XVI vullnetarët katolikë, natyra e dëshmisë, që i jepni shoqërisë civile, me përvuajtëri e bindje: Nëse, vijoi Papa, është detyrë e autoriteteve publike ta njohin e ta vlerësojnë këtë kontribut, pa ia shtrembëruar kuptimin, roli juaj si të krishterë është të merrni pjesë gjallërisht në jetën e shoqërisë, duke u përpjekur për ta bërë gjithnjë më njerëzore, gjithnjë më të lirë, më të drejtë, më solidare. Sot, reflektoi Ati i Shenjtë, vullnetariati, apo shërbimi i dashurisë së krishterë, njihet tashmë nga të gjithë, si element i rëndësishëm i kulturës moderne. Por gjithsesi zanafilla e tij duhet shikuar si vëmendje e krishterë për mbrojtjen, pa diskriminime, të dinjitetit të njeriut, krijuar sipas shembëllyrës së Hyjit: Në se këto rrënjë shpirtërore, tërhoqi vëmendjen Papa, mohohen ose nuk përfillen, e kriteret e bashkëpunimit tonë katandisen në veprimari utilitaristike, atëherë krijohet rreziku i humbjes së cilësisë themelore të shërbimit tuaj vullnetar, në dëm të mbarë shoqërisë. Së fundi Benedikti XVI i nxiti vullnetarët katolikë ta ndryshojnë jetën e tyre rrënjësisht, pa kurrfarë frike, me bindjen se njeriu mund të realizohet plotësisht, vetëm në se dhurohet plotësisht.