Berluskoni jep dorëheqjen: Largohem për të shpëtuar Italinë. Mario Monti, Kryeministri i ri

Mesazhi për kritikët/“Dua të qartësoj për të gjithë ata të cilët mendojnë se mund të dal nga skena politike se unë do të dyfishoj pozicionin tim politik për të rinovuar Italinë”
UPDATE- Silvio Berluskoni njoftoi gjatë një konference për shtyp vetëm pak minuta më parë se jep dorëheqjen nga posti i Kryeministrit, në shenjë përgjegjësie ndaj shtetit si dhe për të evituar një sulm të ri nga kriza financiare. Ish shefi i qeverisë italiane tha se ka fituar shumë herë besimin e dhomës së senatit, ndërsa vlerësoi si maksimale përpjekjet e qeverisë së tij, për t’i bërë ballë efekteve të krizës ekonomike botërore. Sipas tij, në recension ekonomik janë edhe vende të tjera, jo vetëm Italia. “Dorëheqja ime për fat të keq është shoqëruar me ofendime. Ata qindra mijëra italianë që protestuan ditën e djeshme e dinë mirë se ne bëmë gjithçka që të parandalojmë një krizë të thellë financiare e cila ka goditur të gjitha vendet e zhvilluara jo vetëm Italinë. Falenderoj italianët! Faleminderit për mbështetjen për forcën që na keni dhënë dhe që na keni dhënë mundësinë për të arritur shumë objektiva që në vitin 1994 me futjen time në politikë”- u shpreh Berluskoni. Me pas ai shtoi se ka ende vizione për të ardhmen duke shtuar se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga politika. “Dua të qartësoj për të gjithë ata të cilët mendojnë se mund të dal nga skena politike se unë do të dyfishoj pozicionin tim politik për të rinovuar Italinë. Nuk do të dorëzohem derisa të arrijmë të modernizojmë Italinë. Duke u bazuar në këto virtyte ne jemi gati të mbështesim Presidentin e Republikës për t’i dhënë menjëherë vendit një qeveri me profil teknik me një konsensus të gjerë parlamentar. Ne po bëjmë detyrën tonë. Ka ardhur çasti që të hedhim pas krahëve çdo inat personal. Duhet të jemi të bashkuar për të përballuar një krizë që nuk lindi në Itali”- tha ai. “Rroftë Italia dhe rroftë liria”, përfundoi fjalën e tij ish-kryeministri Silvio Berluskoni.
Mario Monti, Kryeministri i ri i Italisë, mandatohet nga presidenti Napolitano
Mario Monti mandatohet nga presidenti Giorgio Napolitano për kryeminister të ri të Italisë. Rreth orës 19.00 të ditës së sotme ish-eurokomisioneri i BE, Monti u paraqit te Presidenti i cili i ka besuar atij detyrën e shefit të qeverisë në një kohë të vështirë krize financiare për Italinë. Por, kryeministri i ri deklaroi se e kishte pranuar me rezervë këtë detyrë dhe se do të rikthehej te Presidenti i Republikës pasi të hiqte dyshimet rreth kësaj rezerve. “Me një përpjekje të përbashkët Italia do të mund të dalë nga kjo gjendje”- tha Monti, duke shtuar se konsultimet për krijimin e qeverisë do të jenë urgjente.
Kryeministri i ri do të ketë si përgjegjësi për të vënë në zbatim masat e kursimit që synojnë të zgjidhin krizën e borxheve në Itali.
Ndërkohë lideri i opozitës, Pier Lugi Bersani është shprehur se do të mbështeste vetëm një qeveri teknike.