E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperatura më e ulët gjatë dimrit do të jetë -22 gradë Celsius

Nga Express më 15 dhjetor 2010 në ora 19:04

Moti i ftohtë që ka përfshirë këtyre ditëve territorin e Kosovës pritet të zgjasë edhe në ditët në vijim. Me gjithë të ftohtin, zyrtarë të Institutit Hidrometeorologjik paralajmërojnë përmirësime të motit duke filluar nga dita e shtunë.

Drejtori pranë këtij instituti, Sylë Tahirsylaj, ka thënë për Kosovapress se
gjendja aktuale sinoptike do të jetë e qëndrueshme deri në ditën e shtunë, kur do të fillojë ngritja e temperaturave.

“Jemi afër sezonit të dimrit dhe moti do të jetë i ndryshueshëm, do të ketë intervale me diell, vranësira, të cilat do të përcillen dhe me reshje bore, deri në fund të javës do të jetë mot i ftohtë me acar, temperaturat minimale do të luhaten nga -10 deri në -6 gradë Celsius, ndërsa ato më të lartat ditore do të shkojnë deri në -3 gradë Celsius. Kjo gjendje sinoptike do të jetë e qëndrueshme deri në ditën e shtunë, kur fillon rritja e temperaturave minimale dhe maksimale. Temperaturat do të jenë mbi 0 që nga java e ardhshme”, ka thënë Tahirsylaj.

Ai bëri të ditur se sasia e reshjeve do të jetë brenda vlerave të pranueshme sipas kushteve klimatike në vendin tonë.

“Gjatë javës tjetër do të kemi mot përsëri të ndryshueshëm, por jo mot të ftohtë sikur se kemi pas, temperatura më e ulët se gjatë kësaj jave mund të shënohet është deri -9 dhe -10 gradë Celsius gjithnjë dy metër mbi nivelin e tokës në matje sipas Organizatës Botërore Meteorologjike dhe faktikisht do të jetë një mot dimëror”, ka thënë ai.

Sa i përket të dhënave të sinoptikëve se ky dimër do të jetë ndër më të ftohtit gjatë këtyre viteve, Tahirsylaj pohon se temperatura më e ulët në Kosovë do të shkojë deri në -22 gradë Celsius.

“Ky informacion ka rrjedh nga Bashkimi Sovjetik. Ata kanë bërë parashikimin e motit në modulimet e tyre matematikore për territorin e vet, por është një e vërtetë se sa herë që vinë masat ajrore nga ajo pjesë dimërore në territorin tonë shkaktojnë ulje të theksuara të temperaturave, por temperatura më e ulët që mund të jetë gjatë kësaj sezone të dimrit shkon deri në -22 gradë Celsius”, ka thënë Tahirsylaj.

Ai ka shtuar se Kosova i takon brezit të klimës kontinentale të ashpër malore me primesa të klimës mesdhetare që vjen përgjatë ujë rrjedhave të Drinit të Bardhë dhe shtrihet në rrafshin e Dukagjinit, andaj, ulja e temperaturave është krejtësisht normale.

Temperatura më e ulët e cila është regjistruar në Kosovë daton nga vitit 1963 në Gjilan dhe Ferizaj në -34.5 gradë Celsius, ndërsa më e larta është shënuar në Prizren 39 gradë Celsius. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›