E Enjte, 5 Nëntor 2026

Temperaturat e larta, Brataj: Shmangni orët e pikut, konsumoni sa më shumë lëngje

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj theksoi sot se për shkak të rritjes së temperaturave në 24 orët e fundit janë bërë 40 vizita më shumë në urgjenca se në ditë normale.

Në një intervistë televizive, Brataj tha se kjo rritje ka ardhur për shkak të temperaturave të larta. “Nga temperaturat e larta rrezikojnë të gjitha moshat. Edhe sportistët janë të rrezikuar madje. Më të rrezikuar, kuptohet, që janë moshat e treta. Fëmijët kanë mekanizëm shumë të shpejtë përgjigje, ndërsa tek të moshuarit përgjigjja është më e ngadalshme”, theksoi Brataj.

Brataj i këshillon qytetarët që duhet të kenë kujdes, të mos dalin në pikun e vapës.

“Mirë është të shmangim daljet nga ora 11:00 deri në orën 17:00, kur kjo është e mundur. Nëse flasim se si të parandalojmë problemet, do të rekomandoja që njerëzit të mos dalin në vapë, të veshin një kapelë të bardhë. Mund të lagim trupin pak me ujë. Kondicioneri nuk duhet të lihet tek zero, por diku tek 24-26, pasi temperaturat jashtë janë 40 gradë Celsius”, tha Brataj, duke shtuar se edhe pirja e lëngjeve është e nevojshme, duhet të konsumojmë minimalisht 2 litra në ditë.

Brataj tha se “këshilla për verën është të hash peshk dhe nga pak, e kryesisht ushqime të lehta. Moshat e treta duhet ta kenë të matur ujin, 3 deri në 4 shishe të vogla, të pijnë jo shumë shpejt, të pijnë qoftë dhe gllënjka. Duhet të shmangim pijet me gaz dhe alkoolin”.

Nëse qytetarët kanë probleme shëndetësore përtej normales, Brataj i këshillon ata të  shkojnë në qendrat shëndetësore më të afërta, edhe tek ato pranë plazheve, që janë ngritur këtë verë.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›