Temperaturat e larta/ Mjeku pediatër: I nxehti, problem për fëmijët! Shmangni ushqimet e pa gatuara mirë

Kjo verë ka sjellë temperatura shumë të larta, mbi normalen, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë Europën. Mjeku pediatër, Diamant Shtiza thotë se temperaturat mbi 40 gradë celsius, sjellin probleme tek të gjithë njerëzit, por veçanërisht te fëmijët, të cilët e kanë imunitetin më të ulët.
Në një intervistë në RTSH 24, ai tha se veçanërisht te fëmijët në moshë shumë të vogël, problemi është më i madh për shkak se është edhe më e vështirë për të kuptuar nëse janë të dehidratuar. Kjo mund të sjellë pasoja serioze në shëndetin e fëmijëve, ndërsa mjeku bën thirrje që të tregohet kujdes i shtuar.
“Kur temperaturat kalojnë mbi 40 gradë, përbën problem për të gjithë popullatën, por veçanërisht për fëmijët të cilët e kanë imunitetin shumë më të ulët. Kur janë shumë të vegjël është e vështirë për të kuptuar që fëmijët janë të dehidruar dhe për arsye të ndryshme mund të kalojnë në ndërlikime si bllokimi i veshkave që janë me pasoja të rënda, ndoshta ndonjëherë edhe fatale”, u shpreh mjeku Shtiza.
Mjeku pediatër këshillon që në këtë periudhë të konsumohen kryesisht fruta dhe perime, teksa bën thirrje që të shmangen ushqimet e pa gatuara mirë.
“Ushqimet që duhet të konsumojnë më shumë në këtë periudhë janë ushqimet dhe frutat që përmbajnë më shumë likide dhe minerale. Gjithashtu uji dhe lëngjet e tjera janë shumë të nevojshme. Do theksoja te ushqimet që të kemi kujdes të mos konsumojmë produkte të pa gatuara mirë, sepse aty mund të ketë baktere që mund të jenë të rrezikshme për organizmin tonë”, u shpreh Shtiza.
/rtsh.al/