E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Donald Trump del para gjykatës: Jam i pafajshëm! Seanca e radhës mbahet në 28 gusht

Seanca e radhës për gjykimin e Donald Trump do të mbahet më 28 gusht. Ky ishte vendimi i sotëm i gjykatës në Uashington pas paraqitjes së ish-presidentit amerikan në sallën e gjyqit.

Në seancën që zgjati vetëm 30 minuta, Donald Trump deklaroi se është i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka orkestruar një komplot për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Prokurori Thomas Windom tha se ishte në dispozicion në të gjitha ditët që gjyqtari i magjistraturës ofroi si ditë të mundshme seancash, por do të preferonte më të hershmen.

Ekipi i Trump kërkoi 28 gushtin, gjë e cila u pranua si opsion duke e caktuar si datë për seancën e radhës.

Seanca e radhës do të jetë para gjyqtares Tanya Chutkan, ndonëse gjyqtarja Upadhyaya ka thënë se Trump nuk është i detyruar të marrë pjesë.

Seanca e 28 gushtit do të zhvillohet pesë ditë pas debatit të parë të planifikuar mes kandidatëve republikanë për president. Trump ende nuk ka thënë nëse do të marrë pjesë, transmeton CNN. 

Akuzat

Akuzat më të reja kundër Trump përfshijnë: komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara; komplot për të penguar një procedurë zyrtare; pengimi dhe tentimi për të penguar një procedurë zyrtare; dhe konspiracion kundër të drejtave.

Këto janë të gjitha përveç 40 pikave të një aktakuze të veçantë federale lidhur me hetimin e këshilltarit special për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara, si dhe 34 akuza penale për falsifikim të të dhënave të biznesit në Manhatan lidhur me një skemë të supozuar të pagesës së parave për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave për të rritur.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›