Temperaturat e larta, ministrja Koçiu: Kujdes të veçantë fëmijët e të moshuarit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka publikuar sot pamje nga puna në terren në të gjithë vendin duke ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët që ndikojnë nga temperaturat e larta.
Është shumë e rëndësishme të ndjekim këshillat e mjekëve, apelon ministrja Koçiu duke shtuar se, “dielli është miku ynë, por kujdesi ndaj valëve të të nxehtit është tejet i rëndësishëm”.
MSHMS ka vendosur edhe autoambulanca në zonat me fluks më të lartë të qytetarëve dhe pushuesve. Në katër qendra shëndetësore në Tiranë ofrohet shërbim 24/7 për urgjencat pediatrike si dhe janë 34 qendra shëndetësore verore në zonat bregdetare dhe malore.
“Në kuadër të marrjes së masave mbrojtëse dhe parandaluese për lehtësimin dhe reduktimin e efekteve dhe pasojave negative shëndetësore që vijnë si pasojë e ekspozimit të zgjatur në temperaturat e stinës së nxehtë të verë, stafet mjekësore në qendrat shëndetësore janë gatishmëri të plotë për të ofruar shërbime dhe informuar qytetarët mbi pasojat negative të ekspozimit ndaj temperaturave të larta”.
Ministria këshillon që, të evitoni ekspozimin në diell gjatë orëve 11:00 am – 18:00 pm për të gjitha grup-moshat, me kujdes të veçantë për foshnjat, fëmijët dhe të moshuarit.
“Përdorni veshje të lehta dhe me ngjyra të hapura si në shtëpi ashtu edhe jashtë saj; Mbani gjithmonë një shishe me ujë gjatë daljeve nga shtëpia, si dhe kapele dhe syze për mbrojtje nga dielli; Rregulloni temperaturat e ambienteve ku qëndroni në një diferencë prej 6 gradë C me ambientin e jashtëm; Freskohuni herë pas here me ujë të freskët; Konsumoni sa më shumë ujë për të mos u dehidruar; Ruani regjimin e medikamenteve sipas udhëzimeve të mjekut” shkruan Koçiu.
Në fund të njoftimit ministrja apelon që konsultohuni me mjekun e familjes për çdo problematikë gjatë kësaj periudhe dhe kontaktoni numrin 127 të shërbimit të Urgjencës Kombëtare për t’ju ardhur në ndihmë në çdo moment.
/rtsh.al/