E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat, muaji gusht i nxehtë si korriku

Sipas sinoptikanes, Genta Stafa, 2 javët e para të gushtit do të jenë me mot të kthjellët dhe temperatura të larta. Fluks pacientësh në spitale

Ditët e para të gushtit do të jenë në favor të pushuesve pasi moti do të jetë i nxehtë dhe i thatë. Ndërsa për personat e tjerë duket se këto kondita të motit jo vetëm që nuk janë në favor të tyre, por do të jenë një stërmundim i vërtetë. Kjo vihet re edhe në urgjencat e spitaleve, ku fluksi i pacientëve po rritet çdo ditë e më shumë. Ndërkohë sinoptikania pranë Qendrës Meteorologjike të Forcave Ajrore, Genta Stafa pohon se në dy javët e para të gushtit, temperaturat do të jenë të larta.

Temperaturat

Gjatë ditëve të para të gushtit garantohet një mot i kthjellët, me vranësira të pakta në mesditë dhe me temperatura të larta, që do të ndihen që në orët e para të mëngjesit. Këtë shpjegim jep sinoptikania Stafa duke theksuar se i nxehti i gushtit është pasojë e masave të nxehta dhe të thata që vijnë nga Afrika Veriore. “Temperaturat në këto ditë mund të krahasohen me ato të arritura na muajin korrik. Këto ditë kanë qenë më të nxehtat për qytetin e Lezhës dhe Shkodrës, me 36 gradë, ndërsa në Tiranë temperaturat kanë shënuar 34 gradë celsius”,- pohon ajo duke shtuar se në ditët e para, kryesisht në 5 dhe 6 gusht, temperaturat do të rriten dy gradë, duke arritur 38 gradë celsius.

Fluksi i pacientëve

“Goditje” nga dielli dhe helmimet nga produktet ushqimore të pakontrolluara kanë mbipopulluar spitalet. Sipas mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kjo situatë vihet re për moshat e rritura, por edhe për fëmijët që kanë “pushtuar” urgjencën e Pediatrisë. Sipas mjekëve të këtij spitali, në fundjavë paraqiten çdo ditë rreth 250 fëmijë për ndihmë mjekësore për shkak të temperaturave të larta. “Vijnë në gjendje të dobët, janë të këputur, kanë bark dhe të vjella. Kuptohet se kemi të bëjmë me problemet e stinës që vijnë pikërisht nga temperaturat e larta dhe fëmijët janë më të ekspozuar për shkak të organizmit të dobët që kanë”,- pohojnë mjekët e Pediatrisë. Ndërsa mjekët e Spitalit Infektiv theksojnë se po përballen me fluks pacientësh me intoksikacione ushqimore. “Theksojmë se produktet ushqimore që nuk ruhen në ambiente të përshtatshme, stimulojnë helmime dhe kjo po vihet re edhe tek pacientët, të cilët po zënë çdo ditë derën e spitalit si pasojë e ushqimeve të pakontrolluara, të cilat në këto ditë të nxehta veprojnë tepër negativisht mbi organizëm”,- pohojnë mjekët e infektivit.

Fluks pacientësh në QSUT, mungojnë shtretërit dhe barnat

E ndërsa temperaturat e larta po shoqërohen me fluks pacientësh në spitale, këta të fundit duket se do të përballen me probleme akoma më serioze. Kështu, para se të përfundojnë në urgjencat e QSUT-së, pacientët duhet të luten nëse do të gjejnë një shtrat dhe barna, pasi këto duket se nuk u ofrohen gjithmonë. Kjo problematikë vihet re sidomos në urgjencën e Patologjisë, në të cilën ndodhen vetëm 20 shtretër, ndërkohë që numri i pacientëve që paraqiten çdo ditë për shërbim mjekësor është rreth 150. “Në fakt, po përballemi me fluks pacientësh, situatë kjo që përsëritet gjithmonë duke krijuar probleme. Paraqiten çdo ditë rreth 150 urgjenca, madje ka raste edhe 200 pacientë në ditë dhe këtu kemi vetëm 20 shtretër”,- pohojnë mjekët e kësaj urgjence. Ndërsa nga ana tjetër, të afërmit e pacientëve pohojnë se u drejtohen farmacive që ndodhen fare afër spitalit, pasi mungojnë edhe medikamentet. “Këtu vetëm serumin na e dhanë falas, ndërsa barnat e tjera i blemë në farmaci se mjekët na thanë se nuk ka. Kjo është skandaloze, të mendosh se është edhe spitali më i madh në vend”,- pohon njëri nga të afërmit e pacientëve. e.bardhi

Mjekët e QSUT-së pohojnë se fëmijët dhe të sëmurët kronikë janë më problematikët. Këshilla për t’u mbrojtur

Mjekët: Ja kush janë më të rrezikuarit

Kujdes nga temperaturat e larta, ato mund të shkaktojnë pasoja shumë të rënda. Ky është alarmi që japin mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se këshillat e mjekëve nuk duhet të neglizhohen. “Fëmijët dhe mosha e tretë janë më të rrezikuarit për shkak të organizimit të dobët që kanë”,- pohojnë mjekët. Ndërkohë ata shpjegojnë se problematikë janë sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, ku vendin e parë e zënë sëmundjet kardiake, si më të rrezikuarat ndaj rrezeve të forta. “Nuk duhet të neglizhojnë as pacientët që vuajnë nga hipertensioni, sinoziti dhe sëmundje të tjera”,- pohojnë mjekët. Ndërkohë ata japin disa këshilla për stinën e nxehtë dhe kërkojnë zbatimin e tyre. “Për kategoritë e rrezikuara që sapo përmendëm, por edhe për gjithë popullatën rekomandohet që të evitohet dalja në orët e pikut dhe pikërisht nga ora 11 deri në orën 17”,- theksojnë mjekët. Konsumimi i sa më shumë lëngjeve të freskët deri në 2-3 litra në ditë dhe zgjedhja e ambienteve të freskëta, janë këshilla të tjera që duhen zbatuar në këto ditë të nxehta. Gjithashtu mjekët rekomandojnë veshjen e rrobave sa më të lehta dhe me ngjyra të hapura.

Këshilla

Të tregohet kujdes maksimal nga temperaturat e larta për fëmijët dhe të moshuarit.

Të sëmurët me zemër dhe sëmundje të tjera kronike të tregojnë kujdes ndaj temperaturave të larta.

Të evitohen daljet në orët e pikut nga ora 11 e mesditës deri në orën 17.

Të përdoren veshje të lehta dhe me ngjyra të hapura.

Të konsumohen sa më shumë lëngje të freskëta 2-3 litra në ditë.

Të qëndrohet në ambiente sa më të freskëta dhe me ajër të kondicionuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›