E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e qeverisë për kufizimin e mandatit të OSBE

Burime pranë Prezencës së OSBE-së kanë siguruar dje se një debat i tillë është prezent prej kohësh

Deklarata e dy ditëve më parë e kryeministrit Sali Berisha se “nuk kam kërkuar largimin e OSBE-së”, ka shumë gjasa të jetë një tjetër gënjeshtër. Kjo pasi gjatë ditës së djeshme janë zbuluar të tjera fakte, të cilat duket se janë në të njëjtën linjë dhe vërtetojnë shqetësimin e shprehur disa ditë më parë nga një diplomat amerikan mbi një kërkesë të qeverisë shqiptare për largimin apo kufizimin e mandatit të Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Tiranë. Kështu, burime pranë kësaj prezence në Tiranë, megjithëse jo në mënyrë të hapur, kanë konfirmuar dje për gazetën se një debat i tillë, pavarësisht se jo në mënyrë publike, ka kohë që ekziston. Pa specifikuar në mënyrë të qartë se cila ka qenë kërkesa konkrete e qeverisë në drejtim të OSBE-së, të njëjtat burime janë shprehur se diskutimi për rishikimin e rolit të kësaj përfaqësie në Shqipëri është real jo vetëm në zyrat e saj në Tiranë, por edhe ato qendrore në Vjenë. Por kjo nuk mbetet e vetmja dëshmi në këtë drejtim, pasi edhe burime të tjera, por kësaj here të diplomacisë shqiptare, konfirmojnë të njëjtën gjë. Kështu, burime diplomatike shqiptare bëjnë të ditur se vullneti për ta ridimensionuar mandatin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë është artikuluar edhe pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të këtij organizimi me qendër në Vjenë. Kështu, këto burime theksojnë se një kërkesë e tillë është shprehur si nga drejtues të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, po ashtu edhe nga përfaqësuesit tanë diplomatikë gjatë tryezave të ndryshme. Sipas tyre, qeveria shqiptare ka argumentuar kërkesën për rishikimin e rolit dhe mandatit të kësaj organizate ndërkombëtare, me faktin se Shqipëria e ka kaluar tashmë kohën e konflikteve të brendshme dhe për këtë arsye, prania e OSBE-së në këtë drejtim është e diskutueshme. Një kërkesë e tillë duket se ka marrë udhë që pas Samitit të NATO-s në Bukuresht, ku Shqipëria mori ftesën për t’u bërë anëtare e kësaj aleance me të drejta të plota. Sipas këtyre burimeve, qeveria shqiptare që pas këtij momenti ka vlerësuar si të panevojshëm monitorimin e shumanshëm nga një organizatë e tillë, e cila si mision themelor të sajin ka monitorimin dhe asistencën e vendeve në tranzicion dhe demokraci të brishtë. Marrja e ftesës për në NATO nga qeveria shqiptare duket se është vlerësuar si momenti përfundimtar i shkëputjes nga tranzicioni dhe për këtë arsye, prezenca e një organizimi të tillë është i panevojshëm. Logjikë që duket se nuk është shumë e saktë, po të kemi parasysh se një nga detyrat kryesore të kësaj organizate është asistenca për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, gjë që Shqipëria deri më tani nuk e ka realizuar ende.

F.Braushi

Ministria beson se kështu do shmanget çdo mbivendosje me punën e organizatave të tjera ndërkombëtare

MPJ: Kemi kërkuar përshtatje të rolit të OSBE-së me zhvillimet

Megjithëse është përpjekur që të përgënjeshtrojë lajmet në lidhje me kërkesën e qeverisë shqiptare për kufizimin e mandatit të Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Shqipëri, Ministria jonë e Punëve të Jashtme ka pranuar se ekziston një dialog me këtë organizatë, për përshtatjen e rolit të saj konform zhvillimeve të reja që kanë shoqëruar demokracinë shqiptare. Nëpërmjet një komunikate për shtyp kjo ministri, pavarësisht se i konsideron abuzive debatet e ditëve të fundit për këtë çështje, ka theksuar se një debat i tillë ekziston që prej tre vjetësh dhe është intensifikuar kohët e fundit. “Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe reformën zgjedhore. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, prej më shumë se 3 vitesh, është angazhuar në një dialog të hapur me OSBE-në, të trashëguar nga qeverisja e mëparshme, në qendër të të cilit është përshtatja e rolit të OSBE-së në përputhje me realitetet e reja në vend”, - bën të ditur në komunikatën e saj, Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas kësaj ministrie, OSBE-së i është kërkuar që ta përqendrojë rolin dhe veprimtarinë e saj, në fushën e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe zbatimin e saj në terren, reformën në drejtësi dhe implementimin e reformave që garantojnë një qeverisje më të mirë. “Ministria e Punëve të Jashtme i përmbahet qëndrimit se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma zgjedhore janë dhe mbeten fusha prioritare të bashkëpunimit me OSBE-në, ku ndihma dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i OSBE-së është dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Po kështu, reforma në drejtësi dhe projektet e përbashkëta të mirëqeverisjes mbeten fusha prioritare të bashkëpunimit OSBE-Shqipëri”,- thuhet në këtë deklaratë.

Gjithashtu kjo ministri thekson se vetëm duke u fokusuar në këto tre çështje, ky organizëm do të mund të mos interferonte me misionet e tjera ndërkombëtare që janë prezent në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Ministria e Jashtme konfirmon njëherazi se kërkesa për ridimensionimin e rolit të OSBE vjen edhe si një domosdoshmëri për të shmangur përplasjet apo angazhimin e disa misioneve në çështje të njëjta veprimi. “Duke e fokusuar veprimtarinë e OSBE-së në Shqipëri në këto 3 fusha, Ministria e Punëve të Jashtme beson se do rritet efektiviteti i saj dhe do shmanget çdo mbivendosje me punën e organizatave të tjera ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, duke iu përgjigjur më mirë realiteteve dhe kërkesave të vendit”,- bën të ditur Ministria e Jashtme.

F.Braushi

PDS: Berisha synon të manipulojë zgjedhjet

Opozita bashkohet në një zë, se tentativa e kryeministrit Sali Berisha për largimin e Prezencës së OSBE-së nga Shqipëria është një përpjekje për t’i hapur rrugë manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pas PS-së edhe forcat e tjera të spektrit të majtë kanë denoncuar këtë kërkesën si një synim të kësaj mazhorance për të deformuar rezultatin e garës së ardhshme parlamentare. Kështu, Partia Demokracia Sociale vlerëson se Berisha po bën përpjekjet e fundit të tij për të qëndruar dhe administruar një pushtet që s’e meriton. “Vlerësojmë se me përpjekjet e fundit prej një demagogu profesionist, por të lodhur, Berisha po kërkon dhe synon të manipulojë dhe t’u hedhë hi syve tanimë jo vetëm shqiptarëve, por edhe partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë nga afër Atë dhe qeverinë e tij të korruptuar, vetëm një vit larg zgjedhjeve parlamentare”,- u shpreh dje sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari. Ndërkohë, duke iu referuar deklaratave të dy ditëve më parë të kryeministrit Berisha për dyfishim të numrit të vëzhguesve të OSBE-së në zgjedhjet e ardhshme, kjo forcë politike thekson se ai kërkon të qetësoj parterët ndërkombëtar për të realizuar më pas planin e tij të vjedhjes së votave. “Premtimet dhe përbetimet e tij për dyfishim të vëzhguesve në zgjedhjet e ardhshme elektorale dhe monitorim më të madh nga institucionet ndërkombëtare, kanë rezultuar se për të s’përbejnë gjë tjetër veç një pjesë të monologut të tij të vjetër demagogjik, sa herë që i ngec sharra në gozhdë. PDS, vazhdon të konstatojë me keqardhje se koalicioni qeveritar i kësaj mazhorance, sot është kthyer në një aleancë thjesht dhe vetëm për të shfrytëzuar pushtetin, për të forcuar pozitat klanore dhe siguruar linjat monopoliste të Kryeministrit, në funksion të fitores me çdo çmim për demokracinë në vend, të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”,- tha Duçkallari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›