E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tendenca drejt teknologjisë, Laçej: Shpejt do të ketë ngopje të tregut, duhet orientim i balancuar

Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ofron rreth 70 programe studimi në tre ciklet e tij, duke mbuluar një gamë të gjerë fushash.

Sipas zëvendësrektores Eliana Laçej, prirja e viteve të fundit është rritur ndjeshëm drejt degëve të teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe ekonomisë.

Ajo thekson se ky orientim, megjithëse pozitiv, rrezikon të krijojë një ngopje të sistemit.

“Tendenca sot, në rang botëror do të thoja, janë të drejtuara kryesisht drejt teknologjisë, inteligjencës artificiale apo ekonomisë, por duhet të kemi parasysh që çdo gjë ka ngopje”, tha ajo.

Zhvillimi i shpejtë i turizmit në vendin tonë e bën të domosdoshme rishikimin e interesit edhe drejt disa degëve që nuk konsiderohen ndër më të preferuarat.

“Të qenurit mësues në gjuhë të huaj, e ka mbuluar tregun, apo degëve shoqërore po ashtu. Po çfarë po ndodh vitet e fundit? Po ndodh që kemi një rritje të turizmit dhe ka lindur nevoja që të ketë persona të cilët nuk e shihnin si një tendencë në rritje, por vetëm në zbritje të këtyre interesave”, tha Laçej.

Thirrja e vazhdueshme ka të bëjë me orientimin e matur të maturantëve drejt programeve të studimit, i cili duhet të bazohet jo vetëm tek trendet e momentit, por edhe tek nevojat afatgjata të tregut të punës, duke siguruar kështu zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha fushat.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›