“Tendera korruptivë në Bashkinë Tropojë”, Bardhi: SPAK të veprojë, të shkarkohet Rexhë Byberaj

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kritikoi punën e Komisionerit të Prokurimit Publik, duke theksuar se ka lejuar krijimin e skemave “5D” si në bashkinë e Tiranës, edhe në bashkitë e tjera të vendit.
Bardhi gjatë diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u ndal te bashkia e Tropojës, duke theksuar se Rexhë Byberaj, i ka dhënë rreth 5 milionë euro tendera kushëririt të tij. Ai i kërkoj SPAK të veprojë.
Duke përmendur konkretisht disa procedura prokurimi, Bardhi theksoi se “kryetari i bashkisë Tropojë i jep tendera djalit të xhaxhait. Janë dy kompani në emër të kushëririt të tij dhe vetëm në 3 vite i ka dhënë më shumë se 4.7 milionë euro kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, dhe sot nuk ekziston ai treg. Po ashtu, ka përfituar edhe 3 procedura të tjera tërësisht korruptive dhe në konflikt interesi. Tre janë ankimuar tek ju dhe ju keni shpallur fitues djalin e xhaxhait të tij, edhe pse kishte ofertën më të lartë. Ka edhe kontratë tjetër për ndërtimin e rrugëve. Gjashtë konkurrentë në garë, pesë të skualifikuar në kundërshtim me ligjin dhe fitues shpallet sërish djali i xhaxhait”.
Bardhi denoncoi mosveprimin e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryetarin e bashkisë Tropojë, që është nën akuzë nga SPAK për 3 vepra penale: “Shpërdorimit të detyrës”, “Prerjes së paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrimit të pronës”, duke shkaktuar një dëm të madh financiar prej 2.8 milionë euro. “Ligji për vetëqeverisjen vendore detyron Këshillin e Ministrave të shkarkojë nga detyra Rexhë Byberajn, sipas nenit 62/1/a të ligjit. Mosveprimi në këtë rast është shkelje flagrante e ligjit”, u shpreh Bardhi.
Nisur nga fakti që këto tendera korruptivë janë kallëzuar prej kohësh në SPAK, Bardhi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të veprojë pa vonesa.
“SPAK duhet të mbrojë interesin publik dhe të veprojë për këto tendera korruptivë dhe në kushtet e konfliktit të interesit, që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin”, theksoi Bardhi.
Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri tha se KPP ka një sistem funksional të mirorganizuar të dorëzimit të ankesave dhe shqyrtimit të ankesave.
Myzyri tha se qëndrueshmëria në vendimmarrje është theksuar jo vetëm në raporte ndërkombëtare, por edhe nga numri i ulët i padive në Gjykatës Administrative.
Kreu i KPP, nënvizoi se “KPP nuk ka kompetenca hetuese te çdo procedurë prokurimi, pasi janë të kufizuara në ligj”.
/r.e/a.f/