E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurse për mësimin e internetit në të gjithë vendin

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka deklaruar se të gjithë nxënësve do t’u jepet mundësia që të mësojnë internetin përmes kurseve që do të ofrojë qeveria. “Arsimi është dhe do të mbetet përparësia më e madhe e qeverisë që drejtoj”, - tha dje Kryeministri Sali Berisha gjatë inspektimit të shkollës 9-vjeçare të Fushë-Milotit në rrethin e Kurbinit, një shkollë e re e ndërtuar me fondet e qeverisë. Në takimin që pati me trupën pedagogjike të kësaj shkolle, z. Berisha rikujtoi premtimet në fushën e arsimit, për rritjen e pagave të arsimtarëve deri në dyfishimin e tyre. Ai cilësoi si prioritet modernizimin e shkollave me kabinete informatike, duke nënvizuar se "do ta kthejmë Shqipërinë në vendin e internetit". “Në këto kabinete do të mësojnë jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit e tyre”, - tha Kryeministri, duke cilësuar se “kurset për mësimin e internetit do të fillojnë në mbarë Shqipërinë, duke u dhënë mundësi të gjithëve të mësojnë kompjuterin dhe përdorimin e internetit”. Shkolla 9-vjeçare e Fushë-Milotit është një shkollë e standardeve bashkëkohore, me 24 nxënës në çdo klasë, në përputhje me projektin e qeverisë Berisha për eliminimin e mbipopullimit në shkolla. Shkolla ka kabinetin e informatikës, ndërkohë që në këtë komunë ka dhe dy shkolla të tjera, në të cilat është instaluar interneti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›