E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat, nën hetim kryebashkiaku i Pogradecit

Lajmi konfirmohet për Gazetën Shqiptare nga prokuroria e Pogradecit, e cila ka rifilluar çështjen, si dhe nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Akuza ka të bëjë me tenderin për pastrimin e qytetit 

TIRANE-Kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi, nën procedim penal për shkelje të procedurave të tenderit dhe favorizim të konkurrencës së pandershme në tender. Lajmi konfirmohet për Gazetën nga prokuroria e Pogradecit, e cila ka rifilluar çështjen, si dhe nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Akuza ka të bëjë me tenderin për pastrimin e qytetit, të zhvilluar në dhjetorin e vitit të kaluar. Kryebashkiaku Shkëmbi ishte në rolin e kryetarit të Entit prokurues në tender, ndërsa procedimi penal përfshin edhe kryetarin e Komisionit të vlerësimit të ofertave, Erjon Vesho; anëtaret Arjana Bardhi e Paskalina Ziko; juristen e prokurimeve Tanja Mato; anëtaret e prokurimit, Suela Llakmane e Elvira Lipi; përfaqësuesit e bashkimit të firmave "Pastër shpk & Leal shpk & Jon Alb Flores shpk", dhe administratorin e bashkimit të firmave "Bajram N@Shpresa shpk". Tenderi u krye vetëm me përfaqësuesin e "Pastër shpk&Leal shpk&Jon Alb Flores shpk, që u shpall fitues. Ndërsa, sipas burimeve pranë grupit hetimor, në versionin e komisionit të tenderimit thuhet se janë shqyrtuar edhe dokumentacionet e firmës "Bajram N plus@Shpresa shpk". Agjencia e Prokurimit Publik në Kryeministri e ka konsideruar tenderin me shkelje të rënda dhe ka urdhëruar anulimin e tij. Pavarësisht këtij fakti, firma që e fitoi tenderin vazhdon të kryejë pastrimin e qytetit. Tenderat e pastrimit të qyteteve janë tenderat më të përfolur të bashkive. Në Lushnje, në vitet 2003-2004, u shënuan 4 viktima nga përplasjet e bandave kriminale që synonin të merrnin këtë tender.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›