Tenderi i deputetëve - ja 8 gratë që u spastruan me 8 mars
Sjellja e kryesocialistit ndaj grave ka mbërritur kulmin e hipokrizisë. Dikur i rrihte, e pastaj me dajak u merrte premtimin për të mos e çuar në gjykatë, sot u pret kokat e karrierës politike, bash ditën e 8 marsit. Lista e përjashtimeve të grave pritet të gjejë një kompromis të poshtër burrash në kryesinë socialiste, për shkak të konkurrencës së madhe për blerjen e një mandati deputeti
Politika e prerjes së kokave s’do kursejë as gratë socialiste. Është ky epilogu më i fundit i aksioneve të politikës së gijotinës të Edi Ramës në PS. Lajmi se 40% e deputetëve të grupit parlamentar socialist, s’do jenë më në listat e kandidatëve në zgjedhjet e 23 qershorit, ka bërë që Edi Rama të thellojë ndasitë meshkuj-femra në PS, duke rreshtuar në gijotinën politike edhe gratë deputete si dhe anëtaret e asamblesë kombëtare, pra aspirantet për të qenë në Kuvendin e ardhshëm. Entuziazmi i tyre për vijueshmërinë e karrierës politike, s’përbën kurrsesi faktor vendimtar për Edi Ramën, për t’i rikandiduar apo kandiduar në zgjedhje, pasi tendenca e tij është drejt vetë-faktorizimit dhe privatizimit të çdo elementi që do integrojë në PS. Dhe këtë po e arrin përmes prerjes së kokave, politikë të cilën e nisi nga Kukësi, po e vijon me Beratin, për ta pasuar më pas me Elbasanin, Vlorën dhe Fierin. Por, ajo që spikat njëkohësisht, është spastrimi nga radhët e PS të 8 grave deputete dhe njëherazi anëtare të asamblesë kombëtare pikërisht në një ditë simbolike siç është 8 marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Fjala është për Valentina Leskajn, Arta Daden, Shega Ligorin, Ledi Shamkun, Vasilika Hysin, Eglantina Gjermenin, Elisa Spiropalin dhe Iris Luarasin. Plot gjashtë prej tyre janë sot deputete në Kuvendin e Shqipërisë, por që nuk llogariten më për legjislaturën e ardhshme. Dy të tjerat, ishin ndër aspirantet e promovuara në PS, por faktikisht u shndërruan në rolin e një përdorimsheve, duke humbur betejën finale me kryedhunuesin dhe rrahësin e grave...
E para në listën e spastrimit është Valentina Leskaj e cila s’ka më vend në listat e PS edhe përpos përpjekjeve të saj për t’i mbushur mendjen Edi Ramës se vendin në listë mund ta blejë edhe me shuma të majme në euro. As kjo s’duket se s’do ta bindë kreun e PS, pasi tashmë ankandi për blerjen e vendeve të sigurta në listë, është drejt mbylljes... Arta Dade është po ashtu pjesë e gijotinës politike e konsideruar si e panevojshme për shpurën e re puniste në PS të pas 23 qershorit; përpos përpjekjeve të saj familjare edhe duke kontrolluar një grup mediatik me djemtë e saj në shërbim të Edi Ramës, sërish nuk bën pjesë në planet e klanit të miliarderëve të PS. Shega Ligori s’ka përmbushur për asnjë moment detyrat e partisë, ndaj kontributi i saj i ardhshëm në PS është detyrimisht i panevojshëm.
Pak më tendencioze është situata sa i takon Ledi Shamku Shkrelit. Këtu, arsyet e Ramës për ta shporrur nga lista e PS në qarkun e Tiranës janë të dyfishta; së pari, si kryetare e grupit të punës për arsimin, Ledi ka dështuar në të gjitha aksionet e PS për të deligjitimuar sistemin e arsimor; së dyti, bashkëshorti i saj, Artan Shkreli po ashtu ka rezultuar një kartë e djegur për interesat e Edi Ramës, pasi që prej zbythjes së tij nga Bashkia e Tiranës, arkitekti i betonizimit dhe shkatërrimit të pronave publike e private, nuk po bën oponencën e duhur kundër planit urbanistik të Tiranës, si dhe ka humbur të gjitha përballjet me Lulzim Bashën në përpjekje për të ngritur barriera kundër zhvillimit urban të kryeqytetit. Me spastrimin e Ledi dhe Artan Shkrelit, Rama krijon në PS 2 pozicione të lakmueshme, nga të cilat përfitimet financiare në miliona euro janë të konsiderueshme (po t’i nisemi tarifave të botuara pak ditë më parë nga Gazeta 55).
Iris Luarasi ishte një tjetër aspirante për të qenë kandidate e PS, për zgjedhjet e ardhshme. Emri i saj tashmë nuk ekziston më në ditarët e Edi Ramës, pasi në vendin e saj u zyrtarizua “new entry” Alfred Peza, i cili automatikisht merr edhe atributet e znj.Luarasi. Vasilika Hysi ashtu siç hyri në PS, ashtu edhe do të dalë, pa lënë asnjë gjurmë.
I “dhimbshëm” është puçi që po i bëhet Elisa Spiropalit. Kryetarja e FRESSH është rehatuar nga ana e saj, sepse Rama i ka premtuar vendin në listat e kandidatëve për deputetë, por përplasjet e saj me Erjon Veliaj ende s’janë shuar. Ky i fundit, adashi i Edi Ramës, as që e llogarit Spiropalin në kandidaturat e saj, qoftë edhe në pozicione humbëse. Kësisoj, 8 deputetet dhe anëtaret e asamblesë së PS, do i nënshtrohen “dhunës” së MJAFT-istëve dhe 99-shave të “selisë mavi”, duke iu mohuar çdo mundësi për të bërë karrierë në Partinë Socialiste. Edi Rama si rrahës grash dikur, përdorte të gjitha format e mundshme të dhunës ndaj tyre. Sot sërish ai (Edi Rama) s’shkëputet nga dhuna kundër qenies femërore, pasi dhe ato pak femra që i kanë mbetur në selinë e pushtuar nga MJAFT-istët e shthurur, po i spastron me po të njëjtin intensitet dhune..., madje duke ushtruar edhe terror.
Gratë që do t’i nënshtrohen politikës së terrorit në PS
Ledi Shamku
Valentina Leskaj
Arta Dade
Shega Ligori
Vasilika Hysi
Eglantina Gjermeni
Elisa Spiropali
Iris Luarasi
...