Tenderi për skrapin e Poliçanit? Edhe ai tek vila e Gjirit të Lalzit është vendosur
Një ankand i stërzgjatur, i zhvilluar në Kombinatin Ushtarak të Poliçanit, për një skrap shumë të çmuar, siç është ai i mbeturinave të fishekëve e predhave, ka rezultuar me shpalljen fituese të një kompanie që ofronte më pak, por që ka dirigjuar procesin nga fillimi në fund.
Gazeta Shqiptarja.com e cila disponon ekskluzivisht dokumentet përkatëse, shkruan sot se ankandi për shitjen e 62.7 tonëve skrap të metaleve me ngjyrë ka përfunduar me shpalljen fituese të kompanisë Scholz dhe u skualifikua Ku &KO, e cila ofroi më shumë.
Kjo ka ndodhur, ndonëse kompania Scholz ka ofruar fillimisht, në fazën e parë, një shifër shumë më të lartë se të tjerët si ofertë ekonomike, për ta fituar përfundimisht tenderin me aq sa ishte vlera fillestare e ankandit.
Kompania Scholz njihet në Shqipëri pasi ka ndërtuar një fabrikë për shkrirjen e skrapit në Xhafzotaj. Biznesmenët serbo- kroatë të kësaj kompanie detyruan Berishën dhe Olldashin të nxirrnin akte normative të kundërligjshme dhe të terrorizonin të gjithë pronarët e varrezave të makinave për ti dërguar makinat atyre në kohë rekord, ndryshe nga sa ka ndodhur në çdo vend të BE.
Por nuk mjafton me kaq.
Firma Ku& Ku, që ka humbur këtë ankand, është e njohur në Shqipëri në fushën e grumbullimit të skrapit. Por po kaq e njohur është edhe për shkak se ka denoncuar skandalin e skrapit në Azotikun dhe TEC-in e Fierit. Edhe në këtë rast kjo firmë bëri ofertën më të lartë, por u shmang nga Ilir Meta pas pazareve që u vendosën në vilën e tij në Gjirin e Lalzit. Tenderin për skrapin e morën njerëzit e Ilir Metës në Durrës, të cilët shqyen jo vetëm Azotikun në mënyrë të paligjshme dhe me çmime qesharake, por edhe TEC-in e Fierit.
Gazeta Tema i ka denoncuar në mënyrë të detajuara të dyja skandalet.