Dy viktima në Elbasan, qëllohet i dënuari me arrest shtëpie, babait i bie infarkt nga ngjarja
(E PERDITESUAR)- Një vrasje është shënuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit, në lagjen e njohur si Sporti i vjetër. Viktima e këtij krimi është 35 vjeçari Gentian Beqiri, i cili ishte i dënuar me arrest shtëpie dhe si rregull duhej të ruhej nga një togë policie. Policia ka bërë me dije se ka qenë një atentat i mirëorganizuar.
Por ky atentat ka sjellë edhe një tjetër viktimë. Babai i Gentianit ka gjetur vdekjen në spital si pasojë e një infarkti. Ai ishte i pranishëm në momentin e ekzekutimit të të birit dhe ka pësuar tronditje.
Viktima njihej edhe me emrin Ardian Meta dhe ishte në proces gjykimi pasi akuzohej për vrasjen e Sokol Çapja në lokalin Acquario në dhjetor të vitit 2005.
Sokol Çapja, ishte mjaft i njohur në qytetin e Elbasanit, pasi ishte pronar i kompleksit të hoteleve Universe. Vrasja e tij pati tronditur qytetin.
Për këtë vrasje, Beqiri është arrestuar dhe prokuroria ka kërkuar dënimin me 25 vite burg dhe e ka marrë këtë dënim edhe nga Gjykata e Elbasanit.
Ndërkaq, vendimi është apeluar nga pala e akuzuar me pretendimin se nuk ka prova, edhe pse prokuroria nga ana tjetër në atë kohë thoshte se ka pasur ADN që e implikonte Beqirin në vrasjen e Sokol Çapës.
Çështja ishte kthyer për rigjykim, ndërsa Beqiri ndodhej në arrest shtëpie, deri në momentin që humbi jetën nga vrasje e paradites së sotme.
Para pak kohësh në Tiranë u ekzekutua edhe një tjetër i dënuar me arrest shtëpie. Arjan Selimi ishte një emër i njohur për botën e krimit.
